25Maj2013

Kryetari Rufi Osmani takon simpatizuesit nga Bogovina

10.04.2011

Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare z. Rufi Osmani mbrëmë ka realizuar një takim me aktivistët dhe simpatizuesit nga vendbanimet që gravitojnë në Komunën e Bogovinës.
“Marrëveshja e Ohrit nuk ka zgjidhur problemet tona, ndërsa deri sa maqedonasit mundohen të krijojnë identitet të rrejshëm duke shpenzuar qindra miliona euro, ata në këtë marrëveshje na e kanë ndryshuar identitetin tonë, nga shqiptar në popull 20 përqindësh. Në vend që regjistrimi i popullsisë të ketë karakter statistikor ai sot ka karakter politik”, theksoi kryetari Osmani.

 

Ai me shembuj konkret sqaroi  se edhe në politikë numrat janë shumë të rëndësishëm  duke thënë se nëse shqiptarët sot llogariten se janë 25 për qind, atëherë pse nga 200 milion euro që harxhohen për projektin “Shkupi 2014”, për sheshin “Skënderbeu” ndahen vetëm 500 mijë euro, e jo 50 milion euro sa na takojnë sipas përqindjes. Osmani sqaroi se për këto padrejtësi, ne si shqiptarë ose kemi problem me numrat ose faktori shqiptar në pushtet nuk ka fuqi politike dhe kapacitete njerëzore për t’i ndryshuar këto shkelje që i bëhen popullit tonë.

 

“Rilindja Demokratike Kombëtare di t’i identifikojë këto probleme dhe ka kapacitet dhe potencial edhe për t’i zgjidhur këto çështje. Kur tashmë kanë kaluar 20 vite pluralizëm në Maqedoni, është koha që përfundimisht të dalim me kërkesa konkrete, prandaj ne si RDK kemi paraparë që pasi të përfundojnë zgjedhjet, me partitë tjera politike shqiptare të ulemi të bisedojmë dhe të dalim me një platformë ku do ta kushtëzojmë faktorin politik maqedonas për koalicion qeveritar. Ne si shqiptarë, nuk mund që edhe më tutje të jemi peng i mosmarrëveshjeve brenda maqedonasve lidhur me çështjen e emrit”, potencoi Osmani.

Para simpatizantëve nga Bogovina, kryetari i RDK-së Rufi Osmani foli edhe për bllokimin e proceseve euro-integruese si problem i cili bllokon edhe zhvillimin tonë ekonomik. “Ne si shqiptarë duhet t’i kushtëzojmë maqedonasit që më pas edhe faktori  ndërkombëtar te imponojë një zgjidhje dhe te dalim nga ky ngërç politik. Nuk mund që edhe më tutje të jemi në rolin e spektatorit deri sa të tjerët me paratë tona ndërtojnë patriotizmin e tyre të rrejshëm, kisha, luana, kryqe, priftërinj dhe duan që Shkupin ta bëjnë pa asnjë element shqiptar”, nënvizoi ai.
Në fund të takimit, Rufi Osmani siguroi aktivistët se Rilindja Demokratike Kombëtare di të menaxhojë me këto probleme dhe ka kapacitet për të ofruar solucione për tejkalimin e kësaj situate dhe shqiptarët të bëhen partner i barabartë në këtë shtet.
Zyra për komunikim e RDK-së