17Gusht2017

Rufi Osmani me përkrahje unanime zgjidhet kryetar i RDK-së në Kongresin e parë partiak


Të nderuar delegatë të Kongresit të parë të RDK-së, të respektuar mysafirë,

Jemi tubuar sot në Kongresin e parë të Rilindjes Demokratike Kombëtare, në këtë manifestim të rëndësishëm politik për të rimëkëmbur një rrugë të gjatë politike dhe kombëtare të filluar shumë dekada më parë nga shumë idealistë të gjeneratave para nesh. Po qe se kërkojmë emëruesin e përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve në këtë Kongres, do të bimë dakord se ideali ynë i kamotshëm i parealizuar për tu bërë zot i fatit tonë në Maqedoninë shqiptare, na bashkoi sot në Tetovë.

Orientimet programore të Rilindjes Demokratike Kombëtare bazohen në parimet dhe synimet e veprimit të Rilindësve shqiptarë për liri, barazi dhe drejtësi të plotë për të gjithë qytetarët dhe kombet që jetojnë në Maqedoni. RDK nëpërmjet kongresit të saj të parë synon të çojë përpara amanetin e Rilindësve, duke synuar të realizojë këto objektiva në mënyrë demokratike në një kohë të sfidave të mëdha në   një vend të konfliktualitetit permanent dhe të paradokseve të mëdha.

Te nderuar miq, Rilindja Demokratike Kombëtare me paraqitjen e saj në   skenën politike, synon të hapë një faqe të re të angazhimit politik, duke ofruar një moral të ri politik të bazuar në   dije, përvojë, nder dhe konsistencë për çështjet me interes kombëtar krahas promovimit të demokracisë funksionale dhe konkurruese në radhët e veta dhe në skenën politike në vend.

Vitet e tranzicionit të gjatë politik dhe ekonomik në Maqedoni, efektuan shumë mosmarrëveshje, konflikte institucionale dhe jashtinstitucionale, diskriminim në baza etnike dhe sociale, papunësi dhe varfëri në rritje, ndërrime permanente të pushteteve politike, progres dhe bllokim të procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Ky tranzicion sot në sytë dhe mendjet e qytetarëve të vendit, në veçanti te pjesëtarët e kombit shqiptar, duket i pafund, dëshpërues dhe pa perspektivë.

Pas dy dekadave të demokracisë parlamentare dhe zbatimit të ekonomisë së tregut në të gjitha drejtimet, sot Maqedonia është në nivele vlerore shumë më të ulta në krahasim me vitin 1991, një fakt sa dëshpërues aq edhe sfidues.

Analiza objektive e tranzicionit politik dhe ekonomik , do të konstatojë se në esence të këtyre dështimeve qëndrojnë disa ekuilibre të prishura si mosmarrëveshje fundamentale të cilat edhe sot e kësaj dite e mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e vendit dhe janë burim i tensioneve në rritje në raportet ndëretnike, dështimin në zbatimin e reformave politike, ekonomike dhe institucionale dhe manifestohen si varfëri dhe paperspektivë e skajshme.

- Së pari: mosmarrëveshja politike dhe intelektuale ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve për karakterin e shtetit dhe për statusin politik dhe juridik të kombit shqiptar në Maqedoni,

në klasën politike dhe intelektuale maqedonase për identitetin sllav ose antik të kombit maqedonas që është arsyeja bazë e mostejkalimit të kontestit politik-diplomatik me Greqinë në lidhje me emrin e shtetit, pengesë kjo që ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike për dy dekada,

- Së treti: dështimi dhe vonesat e qëllimta në zbatimin e reformave politike, ndëretnike ekonomike dhe institucionale në vend.

Për pasojë të këtyre ekuilibrave të prishura, kemi përkeqësim serioz të ambientit demokratik në   vend, përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, politizim të skajshëm të administratës shtetërore dhe publike, korrupsion enorm në sektorin publik, monopolizim dhe kontroll të plotë të mediave publike dhe privatë, thellim të dispariteteve zhvillimore rajonale dhe rritje të varfërisë dhe papunësisë.

Mosmarrëveshjet në fjalë janë kryesisht pasojë e mospasjes së kapacitetit demokratik dhe mosekzistimit të konsensuzit politik dhe ndëretnik të klasave politike qeverisëse në gjetjen e gjuhës së përbashkët për çështjet kryesore me interes për aspiratat strategjike të vendit dhe ruajtjes së kohezionit ndëretnik dhe social.

Një situatë e ngarkuar e kësaj natyre, ka lënë pasoja te të gjithë qytetarët e vendit dhe në   veçanti në zhvillimin e kombit shqiptar në Maqedoni, si kombi i dyte sipas popullsisë dhe potencialit zhvillimor, por me status diskriminues në të gjitha sferat e jetës ekonomike dhe shoqërore.

Të nderuar delegatë, të respektuar miq,

Është koha e fundit t’i emërtojmë fenomenet dhe dukuritë me emrat e vërtetë dhe krahas analizës objektive të ofrojmë edhe alternativën e zgjidhjes së kontesteve dhe konfliktualitetit në funksion të stabilizimit dhe zhvillimit të vendit dhe ndërtimit të një harmonie qytetare dhe ndëretnike që do të bazohet në vlerat dhe traditat e shteteve multietnike të BE-së.

Në periudhën 1991-2001, të gjitha kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni ekuilibroheshin në disa objektiva bazike: pozitë e barabartë kushtetuese me maqedonasit, përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet institucionale , përdorim të lirë të flamurit kombëtar, arsimim universitar në gjuhën shqipe, decentralizim të pushtetit dhe pjesëmarrje e barabartë e shqiptarëve në institucionet e shtetit.

Pushteti maqedonas i proveniencave të ndryshme politike, në vazhdimësi, kërkesave të drejta politike dhe demokratike të shqiptarëve, iu kundërpërgjigj me refuzim institucional politik dhe me dhunë jashtinstitucionale si në rastin e Ladorishtës, Bitpazarit në Shkup, të ashtuquajturës aferë të armëve, ngjarjeve lidhur me themelimin e UT-së dhe ngjarjeve tragjike të flamurit kombëtar në Gostivar.

Këto episode tragjike të shkeljes flagrante të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, vazhduan edhe pas viti 2001, raste më eklatante ishin ai i Sopotit, Brodecit, Haraqinës dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në mënyrë permanente në kontaktet e shqiptarëve me institucionet e shtetit në të gjitha nivelet.

Nga këndvështrimi historik-politik i shqiptarëve, si pasojë e këtij refuzimi politik dhe represionit permanent, u efektua kryengritja e armatosur shqiptare e vitit 2001, kryengritje e cila duhej të arrinte objektivat për barazi që nuk i arriti dot politika me mjete demokratike.

Marrëveshja e Ohrit si pakt i cili ndërpreu luftën dhe solli paqen, në përmbajtje synonte të jep një përgjigje të qëndrueshme për raportet konflikutale shqiptare-maqedonase në   Maqedoninë e pavarur. Ky synim pretencioz i marrëveshjes së Ohrit, nuk mundej t’i rezistojë kohës, sepse në brendi kishte dy defekte serioze:

Së pari, përmbajtja e marrëveshjes së Ohrit nuk jepte përgjigje meritore aspiratave të shqiptarëve për barazi të plote në sistem. Kjo marrëveshje avanconte në doza të caktuara të drejtat e shqiptarëve duke i riemërtuar juridikisht shqiptarët nga statusi i pakicës kombëtare   në “popullin20%” me disa mekanizma që i mbronte nga majorizimi në lëmin e veçorive nacionale dhe kulturore, por nuk garanton barazi ekuivalente dhe jep mundësitë dhe shanset e barabarta në plan individual dhe kolektiv dhe nuk eviton majorizimin për çështje me interes etnik, ekonomik, fiskal, zhvillimor dhe strategjik, dhe

Së dyti, ishin të gjitha qeveritë e pas marrëveshjes së Ohrit të cilat në mënyrë sistematike vepruan që edhe ajo ofertë e pjesshme politike të devalvohet në masë të konsiderueshme në   kuptim të cilësisë, duke prolonguar dinamikën e zbatimit të saj. Përkundër faktit që afati i zbatimit të MO-së ishte katër vite, sot pas 12 vitesh të zbatimit, dy çështjet kryesore të kësaj marrëveshjeje që janë punësimi në sektorin publik është i realizuar pjesërisht, ndërsa procesi i ripajtimit ndëretnik ka trende të përkeqësimit serioz.

Të nderuar bashkëmendimtar të RDK-së,

Me kompetencë mund të thuhet se Maqedonia e viti 2012, pak dallon nga Maqedonia e para viti 2001. Edhe ato të drejta kolektive të shqiptarëve dhe jomaqedonasve, janë zbehur dukshëm nga keqmenaxhimi i qeverive të deritashme, papërgjegjësisë së lartë dhe korrupsionit të thellë politik që karakterizon politikanët në vazhdimësi dhe aktualisht.

Raportet politike maqedonase-shqiptare, janë shtylla aktuale dhe në perspektivë e vendit.

Ne në Rilindjen Demokratike Kombëtare, jemi të bindur se këto dy vullnete politike që në   shikim të parë janë përjashtuese, mund të harmonizohen dhe të jenë të pranueshme për të dy palët duke respektuar standardet dhe vlerat e shoqërive dhe shteteve multietnike të BE-së.

Në këto 20 vite pavarësi, Maqedonia miratoi dy kushtetuta, njëra në vitin 1991 duke i injoruar plotësisht kërkesat politike të shqiptarëve, ndërsa në vitin 2001 bëri ndryshimin e dytë të Kushtetutës nën trysnin e faktorit ndërkombëtar pas një kryengritjeje shqiptare të papërfunduar.

Është koha për  ndryshimin e tretë të kushtetutës në kushte paqeje dhe si një konsenzus i gjerë shqiptaro-maqedonas në funksion të tejkalimit të mosmarrëveshjeve aktuale dhe krijimit të një partneriteti të ri të bazuar në të drejta dhe përgjegjësi ekuivalente.

Nevoja e ridefinimit kushtetutar dhe juridik të Maqedonisë, është parakusht bazë i stabilitetit aktual dhe qëndrueshmërisë në perspektivë të këtij vendi. RDK ofron opsionin më të përshtatshëm për ridefinimin e Maqedonisë si shtet binacional (shqiptaro-maqedonas) me gjuhë zyrtare gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, me miratim të vendimeve me karakter nacional, buxhetor, zhvillimor dhe strategjik nëpërmjet parimit të konsenzusit të përfaqësuesve politikë të kombeve shtetformuese dhe me një organizim territorial dhe decentralizim të plotë lokal, ngjashëm me Kushtetutën e RM-së të vitit 1974 pa komponentin ideologjik.

Një ndryshim i kësaj natyre do të ishte kompromisi historik shqiptaro-maqedonas me të cilin shqiptarët do të fillonin procesin e identifikimit me shtetin, ndërsa maqedonasit do të eliminonin frikën se shqiptarët kanë qëllime të tjera përfundimtare. Ky kompromis eviton ndarjen territoriale të vendit në dy etnitete, atë maqedonas dhe shqiptar, sepse gjysma e popullit shqiptar jeton në territore si pakicë në bazë të kufijve aktual të komunave dhe njëkohësisht një pjesë e konsiderushme e maqedonasve jetojnë në territoret ku shqiptarët janë shumicë.  

Realizimi i këtij objektivi politik madhor, parakupton arritjen e konsenzusit etnik dhe politik shqiptar dhe afatizimin e realizimit të kësaj aspirate me realizmin e agjendës euroatlantike të vendit në një periudhë kohore të arsyeshme të definuar bashkërisht nga pala politike shqiptare dhe maqedonase.

Të nderuar delegatë,

Refuzimi i fundit i Brukselit zyrtar për përcaktimin e datës për fillimin e negociatave për integrim të vendit në BE si pasojë e përkeqësimit të raporteve politike dhe ndëretnike, kulturës së ulët demokratike, raportetve të përkeqësuara me fqinjët dhe moszgjidhjes së kontestit për emrin e vendit, janë brengosëse për të gjithë qytetarët dhe subjektet politike me përjashtim të qeverisë aktuale.

Vonesa në tejkalimin e kontestit me Greqinë, bashkëngjitur edhe me kontestet që tash së fundi i ngre edhe Bullgaria, bëhen sfida të cilat klasat politike në vend, nuk ka kapacitet menaxherial për t’i tejkaluar. Historia e diplomacisë në Ballkan, në dy dekadat e fundit, na argumenton se zgjidhja diplomatike duhet të imponohet nga faktori relevant ndërkombëtar amerikan dhe evropian.

Një imponim i kësaj natyre duhet të realizohet edhe nga shkaku se tashmë në Bashkimin Evropian ka rënë në masë të konsiderushme entuziazmi nga zgjerimi si rezultat i krizave zinxhirore financiare dhe ekonomike të vendeve anëtare (Greqi, Irlandë, Spanjë, Portugali, Itali dhe Slloveni) dhe faktit se BE-ja nuk ka mekanizma dhe nuk gjen mënyra për zgjidhje të kontesteve bilaterale, siç janë kontestet Serbi-Kosovë dhe problemi i emrit të Maqedonisë.

Zbatimi i formulës diplomatike që tejkaloi kontestin Slloveni – Kroaci, është zgjedhja optimale për kontestin Maqedoni - Greqi për më tepër arsye. Vonesa e qëllimit në tejkalimin e këtij kontesti me argumentin se çështja e emrit të vendit është vullnet politik i maqedonasve përkundër mekanizimit të konsenzusit që është shtyllë e mbajtjes së kohezionit të brendshëm në NATO dhe në BE, argumenton qëndrimin anti-integrues dhe izolacionit të kësaj qeverie dhe të qeverive paraprake të vendit.

Vonesa e madhe dhe bllokimi i mëtejmë i procesit të integrmit të vendit në BE dhe NATO, në   esencë e ka kuptimin e margjinalizimit të plotë të vendit nga rrjedha e kapitalit ndërkombëtar, thellim të krizës ekonomike dhe politike dhe eskalimit të raporteve ndëretnike me tendencë të destabilimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndëretnike dhe të vendit.

Porositë e fundit të kancelares Merkel, se BE-ja përfundon kapitullin e zgjerimit me inkuadrimin e Kroacisë, argumenton në mënyrë shumë bindëse patriotizmin e rrejshëm feudal që tashmë dy dekada aplikohet në vend me pasoja shumë negative për vendin në të gjitha drejtimet.

Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar miq,

Rikthimi në pushtet i partisë djathtiste maqedonase VMRO, nga viti 2007 deri më sot, në masë të konsiderueshme karakterizohet me rikthim të etnonacionalizimit maqedonas në institucionet e vendit dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike. Partitë shqiptare që bashkëqeverisjen me këtë parti deri më sot, në masë të konsiderueshme iu nënshtruan kësaj politike dhe nuk arritën të mbrojnë interesin nacional të shqiptarëve në institucionet e vendit në politikë, ekonomi, investimet kapitale, arsim, kulturë dhe në aspekt të sigurisë individuale dhe kolektive.

Lojërat politike nacionaliste të qeverisë së VMRO-DPMNE, nuk mund të ripërsërisin konfliktin e vitit 2001, sepse definitivisht luftërat në territoret e ish Jugosllavisë kanë përfunduar dhe se nuk ka masë kritike në palën shqiptare, si palë e diskriminuar, të merr këtë përgjegjësi dhe të mobilizojë popullin i cili është buzë greminës ekonomike dhe sociale për të filluar edhe një konflikt të ri të armatosur.

Ajo që është edhe më rrënuese, si pasojë e këtyre politikave është indoktrinimi në rritje në kuadër të politikave etno-nacionaliste të VMRO-së, të cilat ushqejnë urrejtjen ndaj shqiptarëve te gjenerata e re maqedonase dhe që Maqedoninë vazhdojnë ta promovojnë dhe nënkuptojnë si pronë dhe si shtet ekskluziv vetëm i maqedonasve, duke përjashtuar të tjerët dhe duke ndërtuar qëndrim mohues në veçanti ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve.

Manifestimi i mllefit nacionalist ndaj shqiptarëve bëhet në vazhdimësi në manifestime sportive, kulturore dhe të tjera të sponzoruara dhe të financuara nga shteti dhe në prezencën e përfaqësuesve më të lartë të shtetit.

Vrasjet në Gostivar të dy të rinjve shqiptarë nga polici maqedonas dhe të pesë maqedonasve në Shkup nga autorë të paidentifikuar gjatë vitit 2012, trajtimi asimetrik i fajtorëve dhe fajësisë për këto vrasje nga organet e prokurorisë dhe të policisë, incidentet e shumta ndëretnike si pasojë e këtyre vrasjeve, insistimi arrogant për miratim të ligjit për kompensim financiar të viktimave maqedonase të vitit 2001, duke injoruar viktimat shqiptare të luftës së vitit 2001, argumentojnë bindshëm se qeveria aktuale është gjeneratori institucional i përkeqësimit të raporteve ndëretnike dhe të sigurisë në vend.

Organet e rendit dhe në përgjithësi institucionet kryesore të vendit, nuk kanë kapacitete efektive për të menaxhuar situata të jashtëzakonshme dhe se shpejtë bien pre e manipulimeve dhe spekulimeve politike. Ruajtja e stabilitetit të brishtë të vendit, kryesisht i dedikohet pjekurisë së shumicës së qytetarëve të vendit me përjashtim të grupeve të manipuluara të të rinjve, ndërsa kontributi i institucioneve të vendit është asimetrik në raport me sfidat me të cilat ballafaqohet vendi.

Te nderuar miq,

Pa zhvillim ekonomik dhe pa institucione të reformuara publike, nuk ka perspektivë ekonomike, zvogëlim të papunësisë dhe varfërisë dhe hapje të perspektivës për gjeneratën e re. Bartës i zhvillimit ekonomike në sistemet demokratike duhet të jetë sektori privat i ekonomisë, ndërsa qeveria duhet të jetë në funksion të krijimit të kornizës stabile makro-ekonomike dhe politike që bizneset të garojnë në kushte korrekte dhe të barabarta.

Kështu argumenton teorika ekonomike dhe kështu funksionojnë sistemet ekonomike në BE dhe SHBA, ndërsa te ne këto vlera të demokracisë ekonomike nuk zbatohen, edhe pse janë ndër kushtet kryesore të kritereve të Mastrihtit dhe të Kopenhagës. Nga viti 2007 e deri më sot, vazhdon shtetëzimi direkt ose indirekt i ekonomisë. Qeveria sot është kompania më e madhe në vend, një fakt sa mohues aq edhe dëshpërues për zhvillimin e ekonomisë së tregut konkurrencës së lirë dhe të sektorit privat.

Janë të papranueshme politikat buxhetore të qeverisë aktuale e cila në kulmin e krizës së madhe ekonomike dhe financiare botërore, vazhdon me kryeneçësi të financojë projektin “Shkupi 2014” me kosto financiare që ka tejkaluar 500 milion euro dhe vazhdon të zhysë vendin në borxhe të reja nga burime të brendshme dhe të jashtme në përkrahje të shpenzimeve joproduktive operative dhe kapitale, në një situatë kur ekonomia dhe popullsia janë para bankrotit ekonomik dhe financiar.

Skenat e fundit tragjikomike në komisionet parlamentare që transmetohen çdo ditë në televizionin shtetëror, manifestojnë arrogancën e paparë qeveritare dhe nënshtrimin e plotë të shumicës parlamentare ndaj qeverisë së vendit dhe mungesën e sensit minimal për kompromis me opozitën në funksion të stabilizimit fiskal dhe financiar të arkës së shtetit.

Kundër këtyre politikave të mbrapshta fiskale dhe ekonomike, RDK-ja ka reaguar në mënyrë permanente nëpërmjet qëndrimeve partiake dhe në veçanti ka demaskuar këto politika dhe diskriminimin e thellë fiskal që u bëhet shqiptarëve nëpërmjet deputetëve të saj Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri Kreci. Jam thellë i bindur se ky kongres duhet të komplimentojë punën shumë të suksesshme të deputeteve tanë në parlamentin e vendit. Janë vetëm dy por njëri nga këta dy deputetë është deputeti më produktiv shqiptar në këto njëzet vite demokracie parlamentare.

Politikat e diskriminimit të skajshëm dhe politizimit të investimeve kapitale në baza partiake dhe etnike, si dhe injorimi i plotë i zbatimit të Ligjit për zhvillim rajonal, janë dështime shumë serioze të partisë shqiptare në qeveri me pasoja afatgjate negative për situatën ekonomike -sociale të shqiptarëve në Maqedoni.

Çdo vit, falë pozitës inferiore në qeveri të partnerit politik shqiptar, shqiptarët ngelin të mangët për 90-100 milion euro investime kapitale në vendbanimet shqiptare, fakt ky që nxjerr në sipërfaqe një diskriminim shumë të thellë publik me pasoja shumë negative gjithëpërfshirëse.

Decentralizimi i pushtetit ose demokracia lokale në Maqedoni, që ishte përmbajtja kryesore e Marrëveshjes së Ohrit si alternativë ndaj ndarjes territoriale të vendit, vazhdon të jetë i bllokuar nga qeveria aktuale VMRO-BDI dhe pushteti real institucional është i kontrolluar në   tërësi nga qeveria qendrore.

Edhe pas 10 vitesh të zbatimit të reformave demokratike lokale, Maqedonia është sinonim i vendit më të centralizuar në Evropë me mbi 94% të financave publike të centralizuara dhe me kompetenca minimale komunale në sferën e ekonomisë, bujqësisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe në lëmin e investime kapitale krahasuar me vendet multietnike të BE-së.

Përkundër kompetencave minimale komunale, bllokadave të shumta nga pushteti qendror dhe borxheve enorme, Komuna e Gostivarit e udhëhequr nga kuadër i RDK-së, arriti të jetë komunë model suksesi në menaxhim me financat publike në vend dhe në rajon, si dhe komunë e cila arriti të sigurojë financa shtesë prej dhjetë deri në njëzet milion euro nga institucione relevante të huaja si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, KfW banka, SDC dhe shumë fondacione të tjera dhe të tejkalojë me shumë sukses bllokimin që ia bënte qeveria e vendit për motive të revanshizmit politik.

Menaxhimi shumë i suksesshëm me Komunën e Gostivarit, ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm që konsiston në partneritetin politik dhe ndëretnik të RDK-së si parti shqiptare dhe të PDT si parti turke, fakt ky që mund të shërbejë si model i rregullimit politik të raporteve ndëretnike në nivel të vendit.

Zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë vazhdojnë të jenë prioritete të parealizuara për të gjitha qeveritë e vendit. Bllokimi i procesit të integrimit të vendit, investimet e huaja minore, korrupsioni politik, reformimi sipërfaqësor i administratës publike dhe ndikimi i madh i politikës në ekonomi, kanë efektuar që ekonomia e vendit të humbë përparësitë komparative, kompanitë vendore nuk janë të afta të plotësojnë standardet e cilësisë të kërkuara në tregun e BE-së dhe për pasojë, rekomandimet e fundit të qeverisë së vendit orientojnë bizneset e vendit drejt tregjeve ruse dhe aziatike.

Rikthimi dhe riaktivizimi ekonomik i diasporës shqiptare në vendlindje dhe investimi i kursimeve të tyre financiare në zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet masave shtesë stimuluese investive dhe fiskale, duhet të jetë prioritet i politikave të ardhshme ekonomike.

Të nderuar miq,

Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit politik, do të jetë një nga prioritetet strategjike të të zgjedhurve politik të Rilindjes Demokratike Kombëtare. Korrupsioni politik i shoqëruar me evazionin fiskal dhe ekonominë informate, janë duke lënë pasoja tepër negative në   funksionalitetin e institucioneve publike dhe janë shkaku kryesor i humbjes së besimit të qytetarëve tek institucionet publike.

Në këtë drejtim, hapi i parë shumë i rëndësishëm do të ishte transparenca dhe objektivizmi i proceseve të tenderimeve publike, krijimi i mekanizmave për realizimin e punësimeve në administratën publike duke zbatuar kriteret e meritokracisë dhe duke eliminuar kriteret e partitokracisë që është bërë sëmundje kancerogjene dhe që është duke shkatërruar administratën publike dhe shtetërore.

Financimi i partive politike është burimi kryesor i korrupsionit politik, kontrolli rigoroz nga institucione të pavarura krahas bërjes publike të pasurisë së politikanëve të niveleve më të larta menaxheriale para dhe pas përfundimit të mandatit politik, do të kontribuonin në   fillimin e procesit të dekriminalizimit të politikës si një dukuri që është duke kriminalizuar të gjitha institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Korrupsioni tashmë është bërë mënyrë e funksionit dhe riciklimit të politikanëve dhe biznesmenëve të korruptuar, ky fenomen duhet ndalur nëpërmjet përjashtimit ligjor të ndikimit të politikës ndaj institucioneve të pavarura juridike.

Të nderuar bashkëmendimtar,

Në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale vazhdoni diskriminimi fiskal dhe investiv. RDK-ja do të angazhohet për ndarje proporcionale të mjeteve buxhetore për të gjitha bashkësitë etnike dhe për alokim të drejtë dhe të bazuar në   programe konkurruese në këto lëmi me rëndësi vitale për zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

Reformimi i mirëfilltë i programeve mësimore në arsimin fillor dhe të mesëm, duke krijuar tekste të unifikuara për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare duhet të jenë me prioritet në politikat e arsimit.

Fakti që në Maqedoni nuk lejohet të zbatohet abetarja e përbashkët shqiptare argumenton më së miri qëndrim mohues të kësaj qeverie ndaj kulturës dhe traditës shqiptare. Kur të analizohen përmbajtjet ofenduese në librat e historisë, gjeografisë, muzikës deri të Enciklopedia e Maqedonisë do të kuptohet dështimi i plotë i politikbërjes shqiptare në arsim dhe kulturë dhe etnonacionalizmi maqedonas në raport me shqiptarët.

Eliminimi i politikave folklorike të krijimit të institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në të gjitha vendbanimet me kosto të ulët studimi si një politikë e gabuar qeveritare e cila duke socializuar arsimin sipëror ul cilësinë, dëmton rritjen e konkurrencës së mirëfilltë në mes të kaudrove shkencore publike dhe private dhe dëmton institucionet private të arsimit sipëror duke krijuar disekuilibre fondamentale në tregun e punës, duhet të ndërpritet menjëherë.

Të nderuar delegatë,

Rilindja Demokratike Kombëtare angazhohet pёr njё sistem shëndetёsor tё përparuar dhe funksional qё pёrfshin tё gjithё qytetarёt dhe bazohet nё parimet e solidaritetit dhe barazisё.

Protestat e vazhdueshme të mjekëve në institucionet publike në vend, argumentojnë më së miri dështimet serioze të kuazi refromave të zbatuara në këtë sektor mjaft të rëndësishëm në vend, përkundër harxhimit të qindra miliona eurove në ndërtimin e infrastrukturës dhe pajimeve medicinave, duke lënë profesionin e mjekut publik të jetë sot profesioni më i nënçmuar dhe nënvlerësuar në vend me një pagë mesatare prej 300 deri në 500 euro.

Rehabilitimi politik , ekonomik dhe moral i të përndjekurve politik të të gjitha periudhave dhe i të gjithë personave dhe familjeve të viktimave të konfliktit të vitit 2001, është një proces i mohuar dhe bllokuar nga të gjitha qeveritë e vendit për shqiptarët etnikë. Manipulimi dhe politikat selektive me të cilat realizohet edhe procesi i lustrimit, ka nxjerrë në sipërfaqe selektivitetin dhe përkatësinë etnike dhe partiake si kritere vendimmarrëse. Ky lloj i lustrimit është larg realizimit të objektivit për dekomunizim dhe penalizim të ish funksionarëve politikë të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të organeve të sigurimit.

Të nderuar miq,

Viti që e lëmë pas, është viti i njëqindtë i shtetit të pavarur shqiptar, një datë shumë e rëndësishme në kujtesën historike dhe aktuale të kombit tonë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga babai i shtetit shqiptar Ismail Qemal Vlorës dhe rilindësve më eminent të para 100 qind viteve, ishte produkt i përpjekjeve të përbashkëta të shqiptarëve dhe shteteve mike të asaj kohe si Austro-Hungaria.

Çlirimi i Kosovës në vitin 1999, ishte gjithashtu vepër e aleancës historike të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së. Kontributi i miqve ndërkombëtar në kryengritjen e armatosur në Preshevë dhe në Maqedoni, ishte e rëndësisë së jashtëzakonshme për epilogun final të kryengritjeve në fjalë. Aktiviteti politik i të gjitha partive politike shqiptare në Ballkan, duhet të jetë i koordinuar ndërmjet tyre dhe të jetë në harmoni me rekomandimet e miqve tanë ndërkombëtarë në një situatë mjaft komplekse dhe me shumë sfida aktuale dhe në perspektivë.

Më duhet me keqardhje të konstatoj se politikanët shqiptarë vazhdojnë të jenë pjesë e klasave politike me kulturë demokratike të pamjaftueshme. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë ku në vazhdimësi keqpërdoren proceset politike zgjedhore.

Në kancelaritë politike dhe në mediat evropiane, shqiptarët vazhdojnë të etiketohen si popull me të cilin identifikohen dukuri shumë negative në më tepër drejtime. Kur këtyre dukurive do tu shtohen faktet e pamohueshme se GDP për banor i shqiptarëve është më i ulti në Evropë dhe se përqindja e varfërisë ekstreme arrin 30%, ndërsa në territoret shqiptare investohet shumë pak nga investitorë seriozë të huaj, kompletohet mozaiku se nuk ka vend për optimizëm real edhe sot pas njëqind vjet pavarësie të Shqipërisë.

Për pasojë të kësaj situate të palakueshme, duhet shumë të punojnë, të kursejmë dhe të investojmë në aspekt material dhe kulturor që të tejkalojmë vonesën historike, sepse në kohën e globalizimit ekonomik dhe integrimit politik dhe të sigurisë, perspektiva për progres është shumë e kërcënuar nga risqet e mëdha të margjinalizimit.

Këto risqe sot janë shumë më të theksuar sesa para një shekulli kur u krijua shteti shqiptar në më pak se gjysmën e tokave shqiptare. Të gjithë shqiptarët së bashku në NATO dhe BE si shtëpi e përbashkët e të gjithë evropianeve, me të drejta, mundësi dhe përgjegjësi të barabarta është një slogan dhe vizion i shpresës reale për kombin tonë, pavarësisht vendit ku jetojmë.

RDK-ja angazhohet për bashkim të kombit shqiptar në kuadër të Evropës së bashkuar si alternativë demokratike dhe komplementare me aspiratat e kombeve konkurruese ballkanike.

Të nderuar delegatë të RDK-së,

Problemi bazë i demokracisë në Maqedoni, ka qenë dhe vazhdon të jetë mungesa e komunikimit normal demokratik në mes të subjekteve të proveniencave politike dhe etnike. Ky problem do të vazhdojë të jetë një pengesë serioze e zhvillimit të demokracisë në kuadër të partive politike dhe në nivel të vendit. Pikërisht falë këtij defekti serioz, motoja e kongresit të parë të RDK-së është përcaktuar “Për Rilindje të mirëfilltë demokratike”.

Shqiptarët dhe vendi sot kalojnë në një fazë delikate të një krize të thellë ekonomike-sociale , ndëretnike dhe integruese . Tashmë është e qartë se qeveria aktuale e vetme nuk ka kapacitet të menaxhojë sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet. Vendi në të gjitha drejtimet i ka tiparet e konflikualitet shumëdimesional. Nevojitet rrugëdalje nga ky qorrsokak politik. RDK-ja përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj konzistent, se vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse e koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001 me synim realizimin e dy objektivave:

Së pari: arritjen e konsensusit nacional për tejkalimin e problemit për emrin ndërkombëtar të vendit si pengesa kryesore në integrimin e vendit në NATO dhe në BE, dhe

Së dyti: Krijimin e kushteve institucionale të barabarta për organizimin e zgjedhjeve të lira të parakohshme parlamentare, së bashku me zgjedhjet lokale në mars të vitit 2013.  

Që shqiptarët të faktorizohen politikisht në Maqedoni dhe të detyrojnë në mënyrë demokratike faktorët politikë maqedonas të hapin dialogun serioz për ndryshimin e Kushtetutës së vendit, duhet të realizojnë hapin e parë politik, të unifikojnë mandatet politike parlamentare duke krijuar opozitën etnike politike shqiptare në Maqedoni. Një hap shumë i rëndësishëm dhe i parealizuar për më shumë se dy dekada të veprimit politik në Maqedoni.  

Objektivat e programit të RDK-së janë të shumta dhe mjaft sfiduese. Kërkohet shume pune, dije , vendosmëri, guxim dhe sakrificë. Uroj që me vullnetin tonë të mirë dhe me ndihmën e Zotit, në këtë rrugë tepër të vështirë të dalim faqebardhë.

JU FALEMINDERIT!

Në Tetovë, 22 dhjetor 2012