20Gusht2017

Zeqiri: Migrimi i shqiptarëve nga Maqedonia i rritur dukshëm

08.02.2015 - Izet Zeqiri komenton migrimin e shqiptarëve të Maqedonisë, jashtë këtij vendi duke përmendur parametrat ekonomik dhe social.

“Shtegtimet ekonomike-kurbetçare të shqiptarëve kanë qenë kryesisht ekonomike-sociale, te shqiptarët migrimet e rregullta apo të çrregullta janë bërë jo vetëm nën ndikimin rrethanave ekonomike dhe sociale, por edhe si rezultat i atyre historike-politike. Këto shtegtime përsëriten edhe sot e kësaj dite që janë kryesishtë ekonomike dhe sociale. Për këto shkaqe një numër i madh i qytetarëve shqiptarë e kanë leshuar vendin dhe kanë migruar për t’u shpëtuar presioneve të ndryshme dhe për sigurimin e ekzistencës së familjeve të tyre.”, theksoi Zeqiri.

Sipas tij, numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Maqedoninë është mbi 500.000.

“Numri i qytetarëve që e kanë lëshuar vendin është mbi gjysmë milioni. Në bazë të disa studimeve të bëra dhe të prezantuara në opinion dinamika e migrimit të qytetarëve që kanë lëshuar Maqedoni nga viti 1945 e deri më sot, paraqitet si vijon: prej vitit 1945 e deri më vitin 1961 numri i qytetarëve që kanë migruar ka qenë diku afër 170.000, prej vitit 1961-1971 afër 100.000 qytetar, prej vitit 1971-1981 kanë migruar afër 70.000 qytetar, prej vitit 1981-1994 kanë migruar 140.000, prej vitit 1994-1999 afër 50.000 qytetarë. Nga kjo dinamikë e migrimit numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë që kanë lëshuar vendin dhe kanë migruar jashtë vendit deri më sot është prej 525.000-540.000 njerëz. Përkundër kësaj dinamike të migrimit studimet ndryshme tregojnë se numri i qytetarëve të Maqedonisë që sot jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit janë nga 320.000 deri 350.000 qytetarë.”, shkruan Zeqiri.

Ndërsa vendet ideale për migrimin e tyre janë ato Evropiane.

“Në shtetet evropiane janë mbi 170.000, edhe atë në 14 vendet evropiane në bazë të të dhënave të Këshillit të Evropës pjesa dërmuese e tyre janë në Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Suedi, Austri, Francë, Belgjikë, Holandë etj. Qytetarët e Maqedonisë gjithashtu kanë migruar edhe në vendet tejoqeanike si në SHBA, Amerikën Veriore dhe Jugore, Australi, Kanada etj. Në bazë të një vlerësimi në këto vende jetojnë prej 150.000-180.000 qytetarë.”, përfundoi profesor Izet Zeqiri.

 

Shërbimi për Informim -RDK