23Tetor2017

Intervista e kryetarit të RDK-së Vesel Memedi për portalin "Almakos"

29.12.2014 - Në intervistën për Almakos, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Vesel Memedi ka deklaruar se pavarësisht asaj nëse mbahen zgjedhje të parakohshme ose të rregullta partia që drejton ai është e gatshme në çdo drejtim të bashkëpunojë me lëvizjet e reja politike. Kreu i RDK-së më tej në intervistë ka thënë se BDI-ja nuk ka arritur të bllokojë asnjë projekt të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, për këtë partia e Ahmetit do të mbajë përgjegjësi historike. Duke folur për ndryshimin në lidershipin e RDK-së, Memedi thotë se dorëheqjet e parevokueshme të Kryesisë së ngushtë të partisë me në krye Rufi Osmanin janë akt më i lart moral që mund të bëjnë politikan me kredibilitet dhe që udhëhiqen nga parimi i llogaridhënies. Njeriu i parë i RDK-së Vesel Memedi në intervistën për Almakos ka folur edhe për shumë çështje të tjera politike, ekoomike, gjeostrategjike në të cilat ndodhen shqiptarët por edhe vetë Maqedonia.

 

Almakos: Para disa ditësh u zgjodhët kryetar i RDK-së. Çfarë hapa do të ndërmerrni në fillim për një riorganizim të ri të partisë?


Vesel Memedi: Kuvendi Qëndror i rregullt i RDK-së me plebishit zgjodhi Kryesinë e re dhe Kryesinë e ngushtë të partisë ku si Kryetar partie u zgjodha gjithashtu me plebishit për ti prijë RDK-së në një periudhë mjaft të vështirë dhe serioze jo vetëm për RDK-në, por për popullin shqiptar në përgjithësi. Hapat e para tanimë janë marrë ku menjëherë dolëm me ofertë publike për mobilizimin e pjesës më vitale të kombit tonë, diasporës shqiptare që të kyqen direkt në hartimin e një strategjie afatgjate për rrugëtimin e kombit shqiptar nëpërmes zërit të RDK-së dhe lëvizjeve tjerra të reja. Hapi i dytë që do të bëhet publike së shpejti ka të bëjë me ofertën publike për ekspert të lëmive të ndryshëm që të na bashkangjiten në Këshillin e ekspertëve që do jet një Këshill me të drejtë ekskluzive për krijimin e tij nga vet Kryetari i partisë.  Oferta do të jetë për të gjithë ekspertët shqiptar nga vendi dhe bota e jashtëme pa asnjë obligim tjetër që këta ekspert edhe të jenë antarë të RDK-së. Hapi tjetër i radhës menjëherë pas festave të fundvitit do të jetë riorganizimi dhe freskimi i radhëve nëpër të gjith nëndegët dhe degët e RDK-së në nivel nacional. Besojm se këto tri hapa konkrete janë një fillim i mbarë për një riorganizim të ri të partisë.

Almakos: Si e komentoni ndryshimin në lidershipin e RDK-së. A mendoni se kjo është bërë në momentin e duhur?
Vesel Memedi: Dorëheqjet e parevokueshme e Kryesisë së ngushtë të partisë me në krye Rufi Osmanin janë akt më i lart moral që mund të bëjnë politikan me kredibilitet  dhe që udhëhiqen nga parimi i llogaridhënies. Të rrallë janë ata politikan të sojit të Osmanit , Zeqirit dhe Dikës të cilët duke u prirë nga  përgjegjësie e lartë morale dhanë dorëheqje nga postet e deputetit dhe pozicionet udhëheqëse të RDK-së, në realitet këto politikan janë të vetmit në historikun e pluralizmit në Maqedoni. Në të njëjtën kohë, të gjithë jemi dëshmitarë se këto procese ndodhin në një shtet me sjellje jonormale që tashmë është shndërruar në pronë  private e udhëheqësve të tandemëve të Vmro-Bdi. Kjo situatë jonormale nuk lejon që rezultatet zgjedhore të jenë rezultate të pranueshme racionale dhe për këtë arsye nuk duhet gjykuar si përgjegjësi objektive  për një rezultat zgjedhor, por si një sjellje normale për të krijuar hapsirë më të madhe për gjeneratat e reja që vijn pas. Shpresojm se ky ndryshim do të mund të ndikoj edhe në ndryshime në partitë tjerra politike, si një parakusht për një ecje më të fuqishme të zhvillimit të kombit shqiptar në vend. Fakti që udhjëheqësia e mëparshme e RDK-së vazhdon të jetë pjesë e Kryesisë së re të RDK-së është argument i mjaftueshëm për kontinuitetin e veprimit tonë politik edhe në periudhën e mëtutjeshme të vështirë për rrugëtimin e kombit shqiptar në vend. 

Almakos: Skena politike në Maqedoni kohëve të fundit shumë është ashpërsuar. Sa do të mund të dalë në sipërfaqe RDK-ja që të dëgjohet edhe zëri i saj në opinion?
Vesel Memedi: Konstatimi juaj se skena politike në vend është ashpërsuar tejmase është më se e vërtetë, por kjo nuk është argument i mjaftueshëm që beteja mos të vazhdoj më tutje. RDK-ja doli në skenë në një periudhë mjaft të vështirë dhe që nga fillimi i saj u luftua shumë ashpër me skenarë të komploteve nga tandemi BDI-PDSH të mentoruar nga shërbime sekrete të Vmro-Dpmne-së. Përkundër gjithë këtij luftimi të egër kundrejt RDK-së, sërisht kemi arritur të ruajm një substancë të shëndosh të njerëzve të vullnetit të mirë që janë të gatshëm këtë betejë ta vazhdojnë  mëtej në një fazë mjaft delikate për zhvillimin e kombit shqiptar në Maqedoni . Me idetë e veta mjaft origjinale dhe autoktone, zëri i RDK-së vazhdoi të ndëgjohet nga të gjithë dhe do të vazhdoj të respektohet falë faktit që në radhët e veta ka njerëz  të vullnetit të mirë që posedojn dituri dhe përvojë të pakontestueshme në përcjelljen e mesazhit të zhvillimit të mirëfillt të kombit shqiptar në vend. Dalja në skenën politike edhe të dy lëvizjeve të reja do të lehtësoj zbutjen e kësaj ashpërsie duke balansuar këtë ashpërsi dhe duke lëvizur më fuqishëm që zëri jonë të dëgjohet edhe më shumë. Duhet  konstatuar  se nuk ka politikan të përjetshëm, të gjithë janë kalimtar dhe për pasojë ndryshimet janë imanente edhe në rastin e RDK-së si edhe në rastin e PD dhe PS në Shqipëri dhe në vende të tjera, i vetmi përjashtim është tandemi BDI dhe PDSH të cilët do i mbajnë udhëheqësit e tyre deri në pensionimin jetësor.

Almakos: Nëse në Maqedoni së shpejti përsëri mbahen zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme RDK-ja të shkojë në koalicion me partitë e reja shqiptare, Lëvizjen Besa, Lëvizjen për reforma në PDSH nga Ziadin Sela?
Vesel Memedi: Pavarësisht të zgjedhjeve, të parakohëshme ose të rregullta, RDK-ja është e gatshme në çdo drejtim të bashkpunoj më lëvizjet e reja në fjalë dhe këtu nuk ka asnjë fshehtësi. Opinioni publik me çdo kusht kërkon një bashkpunim të këtyre tri subjekteve dhe ne do të duhet patjetër të tejkalojm veten tonë dhe të ofrojm një mundësi bashkpunimi, diçka që askushi deri më tani nuk korri sukses në këtë drejtim. Deri më tani kemi patur dhe vazhdojm të kemi kontakte më të dyja lëvizjet e reja të apostrofuara dhe nuk kemi se pse i fshehim këto kontakte. Kjo është diçka që e gjith popullata shqiptare e kërkon, dhe ne do të duhet ta ofrojm këtë bashkpunim në drejtim të synimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë për zhvillimin e kombit shqiptar në vend. Ne presim që këto dy lëvizje të zyrtarizojn subjektivizmin e tyre dhe menjëherë të bëjnë edhe publike zyrtarizimin e nënshkrimit të një marrëveshje të përbashkët xhentëllmene për rrugëtimin tonë të përbashkët në këto kohëra të vështira për kombin shqiptar në përgjithësi. Në këtë rrugëtim tonin të përbashkët ne si RDK bëmë edhe ofertën tonë publike që të na bashkangjitet edhe diaspora shqiptare si pjesa më vitale e kombit, dhe shumë organizata dhe intelektualë tjerrë që kanë brengat e njëjta me ato që i kemi të gjithë së bashku.

Almakos: Po nëse keni ofertë nga PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe BDI-ja për ndonjë koalicion eventual, cili do të jetë veprimi juaj në atë rast,kur dihet si dështoi marrëveshja për koalicion me PDSH e Thaçit?
Vesel Memedi: RDK-ja është partia e vetme politike që ka bë koncesione të mjaftueshme, bile në kurriz të vetin, për unifikimin e faktorit politik shqiptar. Kjo ishte kërkesa jonë e vetme që në fillim të daljes sonë në skenë në vitin 2011. 
Kjo ofertë e jona u injorua nga BDI-ja, ndërsa PDSH-ja edhe njëherë argumentoi se nuk është e interesuar për të unifikuar faktorin politik shqiptar. Si RDK kemi dhënë prova të mjaftueshme për një bashkpunim unifikues shqiptarë dhe kjo na kushtoi mjaft, dhe për këtë arsye për ne si RDK kjo kaptinë është mbyllur për këto dy subjekte politike. Mungesa e sinqeritetit të tyre ka mbyllur këtë kaptinë dhe ne nuk jemi të preokupuar aspak në këtë drejtim. Ne jemi të interesuar për një bashkpunim të mirëfilltë me lëvizjet e reja politike, diasporën shqiptare si dhe të gjith njerëzit e vullnetit të mirë që ndjejnë njëfar brenge për ndryshimin e këtij mjerrimi që ka kapluar politikbërrjen shqiptare në Maqedoni. Në interes të kombit dhe atdheut jemi të hapur që unifikimi ndërshqiptarë të realizohet me garancion dhe ndërmjetsim të faktorit shqiptarë rajonal dhe atij ndërkombëtar në funksion të realizimit të aspiratave madhore kombëtare.

Almakos: A ka patur Shqipëria një qasje konstante mbi ate ç'ka përfaqësojnë shqiptarët që jetojnë jasht Shqipërisë në periudha të ndryshme historike? 
Vesel Memedi: Raportet e shtetit shqiptarë me pjesën e kombit shqiptarë të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë të vitit 1912 kanë qenë të varura drejtpërdrejtë nga fuqia e shtetit shqiptar. Shteti shqiptarë i vitit 1912 i krijuar në më pak se gjysmën e tokave shqiptare ishte një shtet i brisht me potenciale minore ekonomike, politike, ushtarake dhe diplomatike dhe i eksponuar ndaj krizave permanente të mbrendshme dhe i kufizuar me shtete shumë më të forta si ish Jugosllavia dhe Greqia që tradiconalisht mbanin qëndrim mohues dhe aneksues ndaj Shqipërisë.  Në këtë konstelacion të raporteve të mbrendshme dhe pa përkrahje ndërkombëtare Shqiperia e të gjitha periudhave që nga koha e Ismail Qemalit, Zogut dhe Enver Hoxhës kishte një qëndrim indiferent dhe pa mundësi reale për të ndihmuar shqiptarët jashtë kufijve politik. Një situatë e ngjashme vazhdoi edhe pas rramjes së sistemit komunist dhe gjatë procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë edhe si pasojë e faktit që në vitin 1997 Shqipëria ishte në situatë të shpërbërjes së mbrendshme. Ky vetshkatrim i shtetit shqiptarë në vitin 1997 ndodhi vetëm dy-tre vite para luftës së Kosovës dhe kryengritjeve të armatosura të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi. Një shtet formal shqiptarë i pafuqishëm që nga themelimi dhe pa aleat të fortë ndërkombëtar i kufizuar me fqinjë me qëndrim armiqësor dhe shumë më të fuqishëm se Shqipëria determinon një pozicion indiferent dhe të papërfillshëm nga fqinjët ku jetojn shqiptarët dhe pa asnjë ndikim nga pozicioni politik, ekonomik dhe etnik të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit amë.

Almakos: Vendi ndodhet para një krize të madhe jo vetëm politike por edhe socio-ekonomike. Çdo ditë para qeverisë dhe Parlamentit shohim qytetarë duke protestuar. Pse qeveria e Gruevskit na solli në këtë gjendje?
Vesel Memedi: Vendi ndodhet në një krizë të thellë dhe ne mendojm se kjo krizë e të gjitha natyrave do të thellohet edhe më shumë. Në periudhën e ardhëshme pritet që kjo krizë të thellohet edhe më shumë duke patur parasysh se borxhi në përgjithësi (publik dhe privat) arrin dyfishin e buxhetit publik  për një vit, ku vetëm në vitin që e kemi në prag pritet të kthehet borxh i skaduar  prej  1 miliardë euro, hiperprodhimi i  studentëve  në funksion të zvogëlimit të papunsësis do të nxjerri në sipërfaqe një numër të madh të diplomuarish që nuk do të kenë vende pune, njëmendësia arrogante në mbjelljen me ‘dhunë’ të mendimit të tyre për çdo lëvizje që bëhet në shtet, dhe shumë sjelljeve tjerra abnormale, do ta thellojnë edhe më shumë krizën politike dhe socio-ekonomike. Është çmenduri të mendohet se dikushi me qëllim na sjell në këtë gjendje, por në këtë shtet gjithçka është e mundëshme. Si duket të gjith ne jemi duke e paguajtur çmimin e një partie politike që me çdo kusht dëshiron të lidh historinë e një pjese të popullatës së këtij shteti duke helenizuar gjithçka që del përpara pavarësisht nga fakti se nuk ka dëshmi historiografike për lidhshmërin e maqedonasve aktual(sllav) me maqedonasit antik. Dëmi bëhet edhe më i madh kur kësaj njëmendësie i bashkangjitet edhe një parti politike shqiptare, që ose nuk është e vetëdijshme se çka bën, ose bëhet fjalë për një kontraband dhe  komplot të madh që vetëm ato e dinë. Historia do të dëshmoj më mirë se pse kjo qeveri na ka sjellë deri në këtë gjendje të mjerrueshme pa ndonjë dalje afatshkurte nga kjo.

Almakos: Gjatë qeverisjes së Gruevskit që nga viti 2006 e deri më tani, BDI nuk arriti të bllokojë pothuaj se asnjë projekt të VMRO-DPMNE-së. Cili është projekti më i dëmshëm që ka sjellë qeveria VMRO-BDI, projekti “Shkupi 2014”, apo…?
Vesel Memedi: Partia shqiptare në pushtet BDI nuk arriti të bllokojë asnjë projekt të VMRO-DMPNE-së dhe për këtë kjo parti do të mbaj përgjegjësi historike për këtë dështim të madh politik dhe kombëtar. Ajo që u mendua dhe u propagandua se u fitua në luftë në vitin 2001 u avullua në të gjitha drejtimet gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së VMRO-se dhe BDI-së. Është naive të mendohet se BDI nuk është e vetëdijshme për këtë dështim të madhë, por pse nuk kanë bllokuar asgjë deri më tani nga këto projekte joproduktive vetëm ato e dinë më së miri dhe për këtë do të marin ndëshkimin e historisë politike dhe të kombit shqiptarë herët ose vonë.  Sipas mendimit tim të gjitha projektet janë të dëmshme dhe në veçanti  projekti më i dëmshëm që ka sjellë kjo qeverisje është paaftësia e madhe në marrjen e hises tonë të buxhetit për investime kapitale që nëse ekuilibrohet në bazë të përqindjes zyrtare sa jemi në shtet, kjo nënkupton 100 milion euro për çdo vit investime kapitale për  shqiptarët  në vend. Për 12 vite qeverisje, kjo nënkupton së paku 1 miliardë e 200 milion euro investime kapitale në vendbanimet shqiptare. Asnjë projekt tjetër nuk është më i dëmshëm se paaftësia e mosmarrjes së këtij kapitali të fuqishëm, ku po të kishte ndodh sot do të flitej shumë më ndryshe nga ajo që ndodh. Ky është dështimi që ekuilibrohet me tradhëtinë më të madhe kombëtare në periudhën e pasluftës  dhe për këtë do të na dënoj historia dhe gjeneratat që vijn pas nesh. Falë kësaj politike të diskriminimit të rëndë ekonomik institucional sot 100 kompanitë më të mëdha shqiptare prodhojn vetëm 3% nga PBB ndërsa kompanitë e huaja dhe maqedone prodhojnë 97% përkundër raportit të popullsisë që është 25% me 65% dhe të tjerrët 10%. Nëse do të analizoni investimet e huaja direkte do konstatojm se përkundër faktit që kemi ministra kukulla të ekonomisë me përkatësi etnike shqiptare mbi 99% të këtyre investimeve orientohen vetëm në vendbanimet me shumicë maqedonase. Ky diskriminim është sistemor dhe rrezikon të jet shkaku kryesor i shpërnguljes vullnetare të gjeneratës së re të shqiptarëve me çka rezikohet që të ndodhë një depopullzim i paparë me pasoja të rënda për qenien kombëtare shqiptare.  

Almakos: Propozimi i ri i qeverisë për të ndryshuar stemën shtetërore është “luani I VMRO-së”, gjegjësisht simboli partiak i këtij subjekti politik. Pse BDI e përkrahë këtë propozim të partisë së Gruevskit, nuk mund ta refuzojë, ka frikë se mbetet jashtë qeverisë… ?
Vesel Memedi: Rilindja Demokratike Kombëtare jo vetëm që ka qëndrim absolut kundër kësaj steme që propozohet, por edhe vet debatin rreth kësaj çështje e konsideron si debat inekzistent dhe nuk duhet organizuar as një debat në lidhje me këtë çështje sepse sa më tepër të debatohet aq më shumë krijohet hapsirë se diçka mund të pranohet si normale. Nuk mundet askushi të na bind se ‘luani’ ka ndonjë element shqiptar sepse në të kundërtën atëherë të gjith ne duhet të pranojm se ‘gabimisht’ për shekuj të tërë kemi pranuar se shqiponja dy krenare është simbol i origjinës dhe etnisë shqiptare. Partia shqiptare në pushtet është më mirë të pranoj publikisht se nuk ka fuqi të stopoj këtë stemë, edhe pse nuk është e vërtetë përshkak të rolit të ‘Badinterit,’ sesa të mundohet të na bind se ‘luani’ ka edhe element shqiptar. Se çka fshihet pas gjith këtij mega skandali të pranimit të kësaj steme shumë shpejt do të dali në sipërfaqe, dhe dikushi publikisht tha se është i gatshëm të paguaj edhe me kokë për miratimin e stemës, dhe të jeni të sigurt se çmimi për këtë do të paguhet. Shpresojmë që mos e pësoj popullata e ngratë. Besojm se pas gjithë kësaj fshehet diçka shumë më e madhe sesa frika e mbetjes jasht qeverisë, sepse dalja nga qeveria do ta amnistonte aq shumë këtë parti, saqë aq shumë e dëshirojn që kjo të ndodhi por nuk mund të dalin prej kësaj valle. Aq shumë lojëra janë bë dhe bëhen në këtë shtet prej dy milionësh, saqë edhe vet SHBA dhe CIA do t’ua kishte zili.

Almakos: Çfarë mendoni, cila do të ishte zgjidhja më e mirë momentalisht që vendi të dalë nga ky “qorr-sokak” në të cilin ka hyrë. Qeveri teknike, apo ndonjë zgjidhje tjetër?
Vesel Memedi: RDK është avangarde në origjinalitetin dhe autenticitetin e shumë ideve sublime për rrugëtimin e këtij shteti drejt BE dhe NATO-s, ku një nga ato ide është edhe ideja e qeverisë teknike që do të ketë si pikësynim zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, diçka që nuk ka ndodh deri më tani. 
Më pas këtë ide tonën e morrën dhe e përvetësuan shumë parti tjerra politike, saqë kanë vënduar të gjith kredibilitetin e tyre partiak mbi këtë ide mjaft sublime në daljen nga kriza në të cilën jemi thelluar. Jetëgjatësia e kësaj qeverie teknike është shumë jetike për daljen nga kjo krizë e thellë dhe për zbutjen e ashpërsisë dhe agresivitetit të thellë politik që mbretëron këtu tek ne. Sa më i gjatë të jetë qeveria teknike aq më rrënjësor do të jetë dalja nga kjo krizë e thellë politike dhe ekonomike. Për situatën aktuale nuk ekziston ndonjë zgjidhje tjetër.
Nëse flasim për qorr-sokakun e shqiptarëve atëherë duhet konstatuar me kompetencë se deri më tani kemi harxhuar adutet më të fuqishme për këto 24 vite të pluralizmit në vend, dhe se shumë pak alternativa kanë mbet për rrimëkëmbjen e kombit shqiptar në vend. Harxhimi i aduteve të fuqishme filloi me referendumin për autonomi të Iliridës, federalizimi i shtetit, mbrojtja e flamurit kombëtarë, deri te kryengritja e armatosur e vitit 2001. Çfarë mund të përdorej më shumë se shpallja e luftës së 2001, ndërsa sot me kompetencë mund të konkludojm se jemi në qorr-sokak që nuk e dijmë se ku është fundi? Definitivisht kërkohet ndryshimi imanent i qasjes së veprimit të deritanishëm të zhvillimit të kombit shqiptarë se përndryshe pasojat do të jenë shumë të mëdha ku kthim prapa nuk do të ketë.   

Almakos: Nëse nesër mbahen zgjedhje parlamentare, a do të marrë pjesë RDK-ja, kur dihet se shumë pak është punuar në pastrimin e Listës zgjedhore? Madje partia juaj ka patur vërejtje serioze për dy ciklet e mëparshme zgjedhore 2011 dhe 2013 ?
Vesel Memedi: RDK-ja do të marri pjesë në zgjedhje të parakohëshme ose të jashtëzakonshme parlamentare vetëm nëse formohet një qeveri teknike, ku do të ketë përsipër krijimin e kushteve normale për mbarrëvatje të zgjedhjeve fer dhe demokratike, diçka që nuk ka ndodhur deri më tani asnjëherë. Në një shtet ku kemi 2 milion popullatë dhe ku kemi 1.850.000 votues, ku mbi 500 mijë prej tyre gjenden jasht vendit në mërgim është çmenduri të mendohet se kemi zgjedhje normale. Nëse kemi zgjedhje të parakohëshme ndërsa organizatorët janë të njëjtit aktorë atëherë nuk ja vlen të merret pjesë në ato zgjedhje. Mendojm se në një situatë të tillë do të kishim gjendjen e njëjt dhe mu për këtë arsye më mirë do të ishte që këta aktorë të lehen vet të zgjedhin veten e vete sepse vetëm në këtë mënyrë do tju dilte maska e vërtetë. Ne do të marrim pjesë në zgjedhje vetëm nëse aktorët e organizimit të zgjedhjeve janë aktorë tjerrë nga ato që i kemi patur deri më tani.

Almakos: Maqedonia mbeti e fundit në rajon për investime të huaja dhe vendi gjithnjë e më shumë largohet nga integrimet Euro-Atlantike. A do të ketë pasoja në një afat të gjatë kohor, kjo ngecje apo më mirë thënë kthim mbrapa?
Vesel Memedi: Maqedonia prej një lideri në Ballkanin perëndimor në të gjitha drejtimet, tani më të gjitha vendet e rajonit e kanë arritur bile edhe e kanë tejkaluar në të gjitha drejtimet. Edhe pse qeveria aktuale ka harxhuar me qindra, mos të them edhe me miliona euro në reklamimin e këtij vendi si vend mjaft i mirë për investime të huaja në mediat e fuqishme botërore, kjo nuk provoi asnjë efekt në këtë drejtim. Në këtë drejtim nuk ndihmuan aspak as promotorët e këtij vendi që janë caktuar për të promovuar Maqedoninë në vende të ndryshme europjane, si shtet me kushte mjaft të mira investimi. Një rezultat shumë i vogël pozitiv ka ndodhë vetëm në vendbanimet maqedonase, ndërsa te ato shqiptare një gjë e tillë nuk ekziston fare dhe për këtë duhet dhënë përgjigje partia shqiptare në pushtet. Krejt kjo situatë, sëbashku me situatën e përgjithëshme politike dhe ekonomike, e bënë edhe më të vështirë afrimin e vendit me strukturat euroatlantike. Një largim i kësaj natyre nuk jep shpresë se do të kemi investitor të huaj sepse askushi nuk dëshiron të sjell kapitalin e vet në një vend jo të sigurt siqë jemi ne. Kjo ngecje do të ketë pasoja të larta për vendin dhe periudha në vazhdim do të jetë dëshmitare më e mirë e gjith kësaj. Nuk ka mbet as edhe një fije shprese se sendet do të lëvizin në drejtim të duhur me këtë pushtet. Të shpresojm se diçka do të ndodhi në këtë drejtim.