22Nëntor2017

Intervista e kryetarit të RDK-së Vesel Memedi për Agjencinë e Lajmeve “Zhurnal”

25.12.2014 - Intervista e kryetarit të RDK-së Vesel Memedi për Agjencinë e Lajmeve “Zhurnal”

Zhurnal: Keni pak ditë që jeni në krye të Rilindjes Demokratike Kombëtare. Si e gjetët partinë, 7 muaj pas humbjes në zgjedhje dhe dorëheqjes së kryetarit të mëhershëm, Rufi Osmani?

Vesel Memedi: Kuvendi Qendror i Rilindjes Demokratike Kombëtare si organ më i lartë partiak në mes dy kongreseve në mbledhjen e saj të rregullt votoi me plebishit për të vazhduar rrugëtimin e njerëzve të vullnetit të mirë. Në këtë Kuvend, gjithashtu me plebishit, u zgjodh Kryesia e re partiake dhe Kryesia e ngushtë e partisë me mua si udhëheqës i RDK-së. Si pjesë e RDK-së nuk jam i ri sepse jam një nga nismëtarët e e këtij organizimi politik dhe personi që emërtoi këtë parti me tri shkronjat RDK. E njoh mirë partinë dhe anëtarët e saj dhe nuk ka ndonjë problem në kontinuitetin e zhvillimit tonë politik në një periudhë të rëndësishme dhe të vështirë për gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

Dorëheqja e liderit Rufi Osmani është akti më i lartë moral që mund të bëj një politikan, diçka që nuk ka ndodhur ne historikun e pluralizmit politik në Maqedoni dhe që nuk ndodh me liderët tjerë pavarësisht nga fakti që kanë humbur në cikle të ndryshme zgjedhore. Duhet të thuhet me kompetencë se ciklet zgjedhore në Maqedoni në vazhdimësi janë shoqëruar me manipulime të shumta dhe kjo në veçanti ndodhi në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014 dhe për pasojë përgjegjësia e humbësve është relative sepse fituesit janë fitues politikisht të komprometuar. Fakti që Osmani, Zeqiri dhe Dika janë pjesë e kryesisë qendrore të RDK-së argumenton bindshëm vullnetin e tyre për konsolidimin politik të RDK-së, duke i kontribuar përparimit politik të kombit shqiptar.

Zhurnal: RDK, edhe pse në zgjedhje fitoi një deputet, sot ka status të partisë joparlamentare. Kjo sepse mandati i zotit Osmani u mor nga deputetja Mirsada Emini Hasani. Nga kjo perspektivë sot, a ishte gabim dorëzimi i mandatit dhe vetëpërjashtimi i RDK-së nga jeta parlamentare?

Vesel Memedi: Menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve Rufi Osmani në një press konferencë deklaroi se këto, bashkë me zgjedhjet e fundit lokale, janë zgjedhjet më jodemokratike dhe të korruptuara që ka njohur organizimi i zgjedhjeve prej pavarësimi e këndej. Për shkak të kësaj RDK nuk pranoi rezultatin zgjedhor dhe për këtë arsye Kuvendi Qendror vendosi që mos të njohë këtë qeveri dhe parlament dhe vendosi të refuzojë në mënyrë kategorike këtë mandat të fituar. Për këtë arsye, të gjithë 20 kandidatët e RDK-së dy herë nënshkruan deklaratë në noter se refuzojnë mandatin dhe këto deklarata të të gjithë 20 kandidatëve ende gjenden në Parlamentin e vendit dhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Duke shkelur Kushtetutën e vendit dhe ligjet në fuqi, Kuvendi i Maqedonisë filloi të bëjë lojëra me refuzimet e mandateve duke shpresuar se gjatë taktizimit të tyre të pranimit/refuzimit të mandateve një nga një të devijoj dikush nga kandidatët. Personi në fjalë që ju përmendni shiti veten dhe gjithë votuesit e vullnetit të mirë të RDK-së për ndryshimin e deklaratës së vet, duke pranuar kandidaturën, dhe me këtë akt të turpshëm të saj e bëri bashkëshortin e saj drejtor të një shkolle të mesme në Gostivar. Personi në fjalë pa asnjë komunikatë për media, as nga vetë ajo e as nga partia që e pranoi, u kontrabandua në BDI dhe pa fije turpi vazhdon të mbrojë interesat e kësaj partie edhe pse tërë kohën e ka luftuar këtë parti në takimet e saja me qytetarët. Një veprim sa i pamoralshëm aq edhe kriminal sepse në instancë të fundit ky person kurrë nuk hapi gojën në Parlamentin e Shkupit, sepse qëllimin e vetëm e kishte të “shkel në parlament” dhe të rris buxhetin familjar. RDK në parim përjashtoi këtë person sepse ajo ‘”tradhtoi” programin elektoral dhe shkeli mbi votat e mbi 18 mijë votuesve të RDK-së.

Zhurnal: Në shumë vendime politike, RDK ka krijuar përshtypjen, ndoshta të gabuar, se po ndjek veprimin opozitar të opozitës maqedonase, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë. A ka RDK politikë dhe qëndrime autonome?

Vesel Memedi: Përshtypja juaj e bërë si pyetje nuk korrespondon me të vërtetën për më shumë arsye. RDK në programin e vet partiak ngërthen në vete parime të rilindjes sonë kombëtare dhe mu për këtë arsye në programin e saj si qëllim kryesor ka ndryshimin e kushtetutës dhe shndërrimin e këtij shteti në një shtet binacional ku shqiptarët do të konstituohen si komb shtetformues. Ky synim i yni është thënë nga lideri ynë i parë Rufi Osmani që më 1997 me thënien e tij historike se “Maqedoninë e nënkuptojmë si shtet i qytetarëve të barabartë, ne me maqedonasit pranojmë të jetojmë vetëm si partner-ortakë dhe jo si shërbëtor”, diçka që për shumë politikan të atëhershëm por edhe të sotëm ka qenë dhe mbetet e paimagjinueshme dhe e parealizuar. RDK është parti avangarde në mendimin origjinal dhe autokton për shumë ide dhe vendime që duhet të implementojë ky shtet nëse dëshiron të dal nga ky ngërç politik dhe drejt rrugëtimit tonë të përbashkët drejt BE, dhe që në fillet e themelimit të saj ka dalë me dy ide origjinale rreth unifikimit të faktorit politik shqiptar si dhe ndryshimi i emrit të vendit, si pengesë për rrugëtimin tonë drejt BE, mund të ndodhi me një qeveri teknike ku të gjitha partitë politike në vend do të marrin këtë përgjegjësi, dhe do të marrin përsipër organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

Nëse këto ide që janë origjinale dhe autoktone të RDK-së përputhen me ndonjë ide të ndonjë partie politike tjetër, atëherë mund lirisht t’i pyesni ato. Nëse do merrnim për bazë logjikimin e pyetjes suaj atëherë ne kemi të drejtë të plotë të bënim një paralelizëm në mes BDI-së dhe VMRO-së duke konstatuar se Ali Ahmeti udhëhiqte politikisht UÇK-në më 2001, ndërsa Gruevski ishte ministër i financave që ishin në ballë të dy strukturave që luftonin njëra me tjetrën , ndërsa sot i bie se BDI është bërë filial e VMRO-s, dhe a ka paradoks më të madh se kjo. Thjesht, është koincidencë rasti që idetë e RDK-së për qeveri teknike dhe zgjedhje të jashtëzakonshme në pako me tejkalimin e problemit me Greqinë, që janë thënë nga Rufi Osmani në mediumin tuaj sot janë program strategjik i LSDM-së, të jenë shkak i një akuze të tillë të pabazë.

Zhurnal: A ka bërë RDK analizë mbi shkaqet e humbjes në zgjedhjet e prillit?

Vesel Memedi: Zgjedhjet e parakohshme të fundit parlamentare së bashku me zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë zgjedhjet më jodemokratike dhe më të korruptuara të të gjithë kohërave të ekzistimit së këtij shteti. Të gjithë janë dëshmitarë rreth organizimit të zgjedhjeve këtu tek ne dhe se e gjithë kjo tani më ka filluar të dali në sipërfaqe me aferën e pasaportave dhe letërnjoftimeve falso që përdoren për të manipuluar zgjedhjet. E gjithë kjo bëhet me aminin e këtij pushteti dhe për këtë arsye nuk bëhet fjalë për asnjë shkak të asnjë humbje sepse bëhet fjalë për një situatë abnormale që pushteti tenton ta bëjë normale. Në këtë situatë jonormale nuk mund të flitet për shpjegime racionale të zgjedhjeve në përgjithësi. Në këto zgjedhje ka pasur falsifikime dhe manipulime ekstreme të cilat tashmë dalin në sipërfaqe me rastin e burgosjeve të fajdexhinjve nga Gostivari që ishin strukturë e madhe e BDI-s e cila i bënte këto manipulime. Kur analizohen rezultatet zgjedhore duhet bërë një matematikë të thjeshtë në një vend ku ka formalisht dy milion banorë dhe ku banorë të përhershëm ka vetëm 1.7 milion, ndërsa ka 400 mijë nxënës në shkollat fillore dhe të mesme pa të drejtë vote, dhe ku numri i zgjedhësve është jo më pak se 1. 8 milion votues del një shifër marramendëse për manipulim prej 500 mijë votash. Këtu qëndron formula si përgjigje se pse tandemi VMRO- BDI përkundër dështimeve në të gjitha drejtimet vazhdon të rrisë numrin e votave, a ka një rast të tillë në ndonjë vend tjetër në Europë?

Zhurnal: Keni bërë thirrje për një bashkëpunim me strukturat e tjera që përfaqësojnë mendimin opozitar. A besoni ende në një bashkim/bashkëpunim të opozitës shqiptare? Keni një eksperiencë të hidhur me PDSH-në.

Vesel Memedi: Të gjithë partitë politike shqiptare në vend duhet të pranojnë se kanë dështuar në unifikimin e faktorit politik shqiptar kundrejt atij maqedonas për këto 23-24 vite të pluralizmit në Maqedoni. Pranimi i këtij dështimi do të mund të na mobilizoj edhe më shumë për gjetjen e një formule të përshtatshme afatgjate në tejkalimin e këtij dështimi. Përskaj gjithë këtij dështimi do të duhet detyrimisht të orvatemi të tejkalojmë veten tonë në realizimin e këtij qëllimi madhor për kombin shqiptar në përgjithësi. Si duket dikujt nuk i konvenon një bashkëpunim i kësaj natyre, bile edhe brenda spektrit politik shqiptar. Pavarësisht përvojës së hidhur që kemi patur jo vetëm si RDK, por më së shumti si shqiptar në drejtimin e unifikimit të faktorit politik shqiptar, ne sërish me sinqeritetin më të madh jemi të interesuar ta jetësojmë këtë ide mjaft sublime për popullin shqiptar. Duke u nisur nga ky konstatim atëherë, RDK ka realizuar disa kontakte me lëvizjet e reja politike dhe nuk ka nevojë të fshehim asgjë, se në parim asnjë nuk është kundër këtij bashkëpunimi dhe me Zotin para edhe do ta jetësojmë së bashku këtë bashkëpunim.

Zhurnal: Cili është qëndrimi i RDK-së në raport me çështjen e stemës? Për simbolin e luanit ka disa versione interpretimi, por në opinion dominon mendimi se ai është simbol partiak. Nga ana tjetër, ka fakte historike dhe jo deklarata politike, që thonë se luani ka qenë simbol i familjeve feudale shqiptare, por edhe i Mbretërisë Shqiptare.

Vesel Memedi: Rilindja Demokratike Kombëtare jo vetëm që ka qëndrim absolut kundër kësaj steme që propozohet, por edhe vet debatin rreth kësaj çështje e konsideron si debat inekzistent dhe nuk duhet organizuar as një debat në lidhje me këtë çështje sepse edhe nuk ka debat. Nuk mundet askush të na bind se ‘luani’ ka ndonjë element shqiptar sepse në të kundërtën atëherë të gjithë ne duhet të pranojmë se ‘gabimisht’ për shekuj të tërë kemi pranuar se shqiponja dy krenare është simbol i origjinës dhe etnisë shqiptare. Partia shqiptare në pushtet është më mirë të pranoj publikisht se nuk ka fuqi të stopoj këtë stemë, edhe pse nuk është e vërtetë për shkak të rolit të “Badinterit”, sesa të mundohet të na bind se ‘luani’ ka edhe element shqiptar. Se çka fshihet pas gjithë këtij mega skandali të pranimit të kësaj steme shumë shpejt do të dali në sipërfaqe. Jam i mendimit se rezonimi i strukturave udhëheqëse të BDI-së është i gabuar dhe i ngjashme me logjikën e identifikimit të kombit me shtetin, sic ndodh në Zvicër. Nuk duhet të befasohemi nëse BDI në perspektivë na propozon që pas luanit shqiptarët në Maqedoni të identifikohen me maqedonasit me tezën se shqiptarët jetojnë në Shqipëri, ndërsa kosovarët në Kosovë dhe ne në Maqedoni. Pa diskutim se luani duhet të hidhet si simbol i huaj me të cilin identifikohen bullgarët dhe anëtarësia e VMRO-së ndërsa për stemën duhet të ofrohen zgjidhje unifikuese që në këtë rast mund të jenë mbinacionale, ngjashëm siç kemi rastin e Kosovës, Unionit Europian, NATO-s dhe institucioneve të Kombeve të Bashkuara sepse është po Ali Ahmeti që e ka bërë refren të përditshëm: “NATO-UE dhe përnjëherë këtë slogan e zëvendëson me luanin sllavë ose më saktë luanin bullgar.”

Zhurnal: Në rast të zgjedhjeve lokale, a do të konkurronit për kryetar të Komunës së Gostivarit?

Vesel Memedi: Kjo është një çështje hipotetike , është shumë herët për t’ju dhënë një përgjigje më meritore, vendimi do jetë i organeve të RDK-së. Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të fitojë RDK-ja sepse në 2013 në mënyrë tinëzare ju mor mandati RDK-së duke shkelur rëndë mbi demokracinë dhe vullnetin e shumicës dërmuese të popullit shqiptarë.

Zhurnal: Cili është sot rol i Rufi Osmanit në RDK?

Vesel Memedi: Rufi Osmani së bashku me shumë nismëtarë tjerë të partisë si Izet Zeqiri, Artan Dika dhe të tjerë vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e RDK-së si anëtarë të Kryesisë Qendrore, duke dhënë kontribut aktiv dhe këshillëdhënës në konsolidimin dhe rrugëtimin e mëtejmë të familjes së Rilindjes Demokratike Kombëtare.