18Dhjetor2017

RDK do ta ketë anulimin e projektit për devijimin e Radikës kusht për hyrje në çfardo qeverie të ardhëshme

24.04.2014 - Rilindja Demokratike Kombëtare ka shprehur në vazhdimësi shqetësimin e saj për mosanulimin e projektit për devijimin e lumit Radika, megjithë pakënaqësitë e shumta të shprehura masovikisht nga të gjithë qytetarët dibranë. Për fat të keq një projekt i tillë shkatërrues për Dibrën dhe dibranët është mbështetur në të kaluarën edhe nga deputetët dhe ministrat e partisë shqiptare në pushtet, të ndërgjegjshëm ose të pandërgjegjshëm për pasojat katastrofale që do të sjellë zbatimi i tij.

Rilindja Demokratike Kombëtare ka bërë në vazhdimësi denoncimin e këtij projekti antishqiptar dhe sidomos përmes deputetit të saj Izet Zeqiri ka argumentuar me fakte vazhdimin e projektit në fjalë, për të cilin, në vitet e kaluara por edhe për vitet në vazhdim janë ndarë dhjetra miliona euro.
RDK dëshiron tu bëjë me dije dibranëve se situata aktuale dhe kandidatët e saj e favorizojnë RDK-në për të qenë faktor serioz pas zgjedhjeve të 27 prillit dhe i japin asaj mundësi reale të ketë grupin e saj parlamentar në Kuvendin e Maqedonisë.

RDK ju garanton dibranëve se në rast të përfshirjes së saj në qeverinë e ardhshme, anulimi i projektit për devijimin e Radikës do të jetë kushti i parë për hyrjen e RDK-së në cilindo koalicion qeveritar. Qëndrimi i Rufi Osmanit në Gostivar në vitin 1997 dhe i Xhezair Shaqirit në Haraçinë në vitin 2001, janë garancia më e mirë për fjalën e dhënë të RDK-së.

Shërbimi për Informim - RDK