20Gusht2017

Skandal: Ali Ahmeti i dërgon letër Izet Zeqirit të votoj BDI-në

23.04.2014 - Akti, kur BDI iu drejtohet me letër me shkrim, me anë të mesazheve, qytetarëve në adresa dhe me të dhëna personale, për të votuar këtë parti, paraqet presion të drejtpërdrejtë dhe kërcënim ndaj votuesve. 

Ky është një keqpërdorim i komunikimit me shkrim dhe letër, duke vënë në pikëpyetje, procesin e lirshëm zgjedhor. Kjo mënyrë e komunikimit me qytetarët, është presion ndaj individëve, familjeve dhe është paralajmërues për pasojat që mund të pasojnë. Ky komunikim e bënë individin, të mendojë për mesazhin, ta lexojë disa herë atë dhe, ndoshta, të gjejë njerëz të tjerë që ta rishikojnë mesazhin, para se të transmetohet duke menduar për pasojat nëse do të vepronte ndryshe në votime. Sistemet demokratike politike, njerëzve duhet t'u garantojnë mundësinë, për të marrë pjesë në proceset politike të sjelljes së vendimeve, në mënyrë të lirshme dhe pa ndikime.

Vullneti i lirë i njerëzve, konsiston me vetë situatat konkrete të vendosjes për përkrahjen e një opsioni apo opsioni tjetër politikë, e jo presioni me letra që drejton thirrje në formë të kushtrimit për ndërtimin gjoja e “shtëpisë sonë të përbashkët”. Kush i jep të drejtë BDI-së të ndikojë dhe të bëjë presion mbi interesat e qytetarëve. Interesat paraqesin aktivitetin e duhur për çdo shoqëri progresive dhe demokratike. Në shoqëritë moderne të rregulluara juridikisht, mënyrat dhe format e të shprehurit, koordinimi dhe implementimi i interesave të ndryshme në sistemin politik, e garanton Kushtetuta, e jo ndonjë parti politike.

Pse po bëhet presion dhe lobohet në këtë mënyrë, ku qëllimi i tyre kryesor paraqet rritjen e shkallës së ndikimit në qytetarët, që janë të rëndësishëm tek sajimi dhe firmosja e vendimeve përkatëse në votime. Kjo strategji e lobimit politikë zhvillohet në prapavijë, larg “syve dhe veshëve” të opinionit publik, ku asnjë qytetarë nuk guxon as ta bëjë publike.

Shërbimi për Informim - RDK