17Gusht2017

Sulmi ndaj shqiptarëve në Radishan akt qyqar i trimëruar nga politikat që nxisin dhunën në vend

17.04.2014 - Rilindja Demokratike Kombëtare ka ndjekur me shqetësim ngjarjet e para pak ditësh në Radishan të Shkupit ku turma rrugaçësh dhe huliganësh kanë provokuar dhe sulmuar familjen shqiptare në pragun e shtëpisë së tyre. Ajo që është më shqetësuese në këtë ngjarje është përsëritja e vazhdueshme e të njëjtit skenar ku Ministrja e brendshme vihet në rolin e manipulueses së ngajrjes duke mashtruar opinionin publik, ndërsa Zëvendës-ministri i brendshëm në rolin e strucit që në vazhdimësi hesht dhe bën se nuk di se çfarë po ndodh.

Sulme të tilla të përsëritura, sidomos në zona ku shqiptarët janë në numër më të pakët, kanë gjetur inspirim dhe janë inkurajuar edhe nga plogështia dhe mosdënimi i autorëve të sulmeve të ngjashme në të kaluarën, ku nuk ka patur asnjë joshqiptar të dënuar me burg, për sulmet ndaj shqiptarëve në autobusë, parqe dhe vende të tjera.

Të gjitha këto ngjarje të rënda kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe mosndëshkimi që ka inkurajuar elementet konfliktnxitëse dhe antishqiptare, në një shoqëri me paragjykime të mëdha etnike, të nxitura edhe nga politikat e qeverisë aktuale.

Meqë në inçizimet e shpërndara, të cilët e zunë në gënjestër Ministren e brendshme, shihet qartë edhe të paktën një person me armë, RDK kërkon nga Ministrja e brendshme dhe Zv. Ministri kukull shqiptar të sqarojnë opinionin se a është bastisur apo jo shtëpia e tij për ta gjetur armën në fjalë, ashtu siç bastisen rregullisht shtëpitë e shqiptarëve?

Ministrja e brendshme dhe Zv. Ministri kukull shqiptar duhet ta sqarojnë opinionin se a janë marrë masa që t’i hiqet leja për armë personit që merr pjesë në ushtrimin e dhunës me prapavijë etnike, nëse arma është me leje, dhe, nëse arma rezulton të jetë pa leje, si ka mundësi që ndaj tij të mos ngrihet fare padi penale për armëmbajtje pa leje dhe kërcënim të personave tjerë me armë?

Shërbimi për Informim - RDK