16Dhjetor2017

"PDSH + BDI = VMRO-DPMNE" - Artan Dika

27.02.2014 - Pesë vjet më parë VMRO-ja ishte në hall se dalja e votuesve do të ishte e pamjaftueshme për të arritur 50% e nevojshëm që zgjedhjet presidenciale të jenë të vlefshme. Aty pari me shpejtësi i doli në ndihmë sateliti i saj BDI-ja, që pa asnjë kushtëzim pranoi dëshirën e VMRO-së që pragu zgjedhor të ulet nga 50% në 40%. Por edhe kjo masë dukej disi me pikëpyetje sepse të dhënat tregonin se nga mosdalja e mjaftueshme e votuesve maqedonë, në raundin e dytë kishte mundësi të mos arrihej as pragu i ri prej 40%. Sërish sateliti shqiptar BDI nuk e la VMRO-në në baltë dhe, sërish pa asnjë kusht, bëri thirrje që edhe shqiptarët të dalin për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, megjithëse në këtë raund nuk kishte asnjë kandidat shqiptar. Dhe kështu dalja në votime në raundin e dytë ishte 42,63 %, me një fitore bindëse të kandidatit të VMRO-së. Sa për kuriozitet, në Komunën e Zajazit, Gjorge Ivanovi kishte fituar ndaj kundërkandidatit të tij të LSDM-së, me rezultatin e thellë 742 me 48.

Tani sateliti i VMRO-së, BDI, ka vendosur të na shesë patriotizëm me bateri. Ata thonë se do të kërkojë nga shqiptarët të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe se Maqedonia në pesë vitet e ardhshme do të ketë president i cili do të jetë i papranueshëm për 1/3 e popullatës, sepse këta trima me bateri kanë vendosur më në fund ‘të mbrojnë’ dinjitetin dhe vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do lejojnë t’i japin legjitimitet të rrejshëm një presidenti.

Është komike që një parti që nuk ka as një të tretën e një të tretës së elektoratit, të flas në emër të një të tretës së popullatës dhe është tragjike që këta sharlatanë mendojnë se shqiptarët kanë harruar se si ata vet, pesë vjet më parë, jo vetëm që i mundësuan fitoren pa asnjë kusht por edhe konsideruan legjitim presidentin e deritanishëm të VMRO-së, me vetëm 2-3 mijë vota shqiptarësh.

Por lajmet e fundit tregojnë se VMRO-së kësaj rradhe do i vijë në ndihmë sateliti shqiptar numër dy, PDSH-ja. Ajo tani ka ndërruar mendje dhe ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale edhe pse e din se çka do të fitoj. Megjithatë duket se roli i PDSH-së tani është roli i BDI-së pesë vite më parë. Ata duhet të mundësojnë arritjen e pragut prej 40% në raundin e dytë dhe me pak vota shqiptare ta legjitimojnë zgjedhjen e kandidatit të VMRO-së, njësoj siç patën bërë ‘patriotët’ e BDI-së pesë vjet më parë. Dhe logjikisht nëse presidenti i deritanishëm ishte legjitim me 2-3 mijë votat e BDI-së, ai patjetër se do të jetë sërish legjitim me 2-3 mijë votat e PDSH-së.

Në fakt, asgjë nuk mund ta mbulojë servilizmin e skajshëm të dëshmuar të këtyre dy partive ‘heroike’. Megjithatë vetëm në një gjë PDSH-ja ka të drejtë: nuk mund të durohet që shpurdhjakët e partisë shqiptare në pushtet të luajnë me shqiptarët, duke ju bërë thirrje atyre për të votuar kandidatin maqedon kur ju levërdis për interesat e tyre dhe pastaj kur nuk ju levërdis të bëjnë thirrje për ta bojkotuar atë.

Artan Dika - Nënkryetar i RDK-së