23Tetor2017

Përfaqësuesit e RDK-së morën pjesë në festimet e 28 Nëntorit në Vlorë dhe në Tiranë

29.11.2013 - Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, një delegacion i RDK-së i përbërë nga Nënkryetari i RDK-së, Z. Artan Dika dhe Anëtari i Kryesisë së RDK-së, Z. Vesel Memedi, mori pjesë në manifestimet e organizuara në Vlorë dhe në Tiranë për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Fillimisht përfaqësuesit e RDK-së morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe intonimin e himnit kombëtar në sheshin e flamurit në Vlorë, ku ishin prezent edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës së Shqipëerisë, Z. Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta dhe Kryeministri, Z. Edi Rama.

Më pas, në vijim të vendosjes së kurorave me lule nga pjesëmarrësit në varrin monumental të Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, përfaqësuesit e RDK-së vendosën një kurorë me lule në emër të RDK-së. Ceremonitë festive vazhduan me kalimin në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës për tu zhvendosur tek Teatri "Petro Marko", ku u vizitua ekspozita ‘“Shqiptarët në Evropën e gjeneratës së re” dhe u mbajt prezantimi për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për projektimin e vijës bregdetare të Qytetit të Vlorës.

Në fjalën e tij të rastit, Kryeministri Rama falemnderoi për pjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptarë nga treva të ndryshme të rajonit ku banojnë shqiptarët që, siç tha ai, e bëjnë dhe më të gëzueshme këtë ditë të shënuar dhe plot diell në Vlorë. Në vazhdim, Kryeministi shqiptar, Z. Edi Rama, shtroi një drekë për mysafirët e ftuar.

Në mbrëmje, me ftesë të Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, delegacioni i RDK-së mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar në Pallatin e Brigadave nga Kreu i Shtetit Shqiptar, Z. Nishani.

 

  

Shërbimi për Informim - RDK