22Nëntor2017

A po mashtrohet sërish për zonën e lirë ekonomike të Tetovës? - Dr.Artan Dika

24.04.2013 - Lajmet e muajve të fundit kanë qenë të mbushura me njoftime se kompani të fuqishme norvegjeze do të ndërtojnë dhe menaxhojnë zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe në vazhdimësi janë përmendur një varg kompanish. Por nëse këto lajme i analizon më me kujdes, gjithnjë e më shumë forcohet bindja se këtu shumë gjëra janë të dyshimta! Ja çfarë thonë lajmet:

Fillimisht, në 28 shtator të vitit të kaluar Gazeta “KOHA” sjell lajmin e publikuar në http://www.koha.mk/aktuale/18064.html se Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se, në tenderin e dytë, oferta për zonën e lirë ekonomike në Tetovë kanë dorëzuar dy kompanitë e kualifikuara nga faza e parë: konzorciumi turk "TBS Yonetim Isletme ve Insast Anonim Sirketi" dhe "Pera Constraction Internacional doo Skopje", si dhe kompania norvegjeze "Small Business Association of Norway (SNS)".

Por, kompania norvegjeze "Small Business Association of Norway (SNS)" nuk përmendet më tej pas anulimit të tenderit të dytë dhe hapjes së tenderit të tretë, as si konkuruese në tender e aq më pak jo si kompania fituese e njoftuar më pas.

Kronika e mëpasme në http://www.koha.mk/aktuale/18484.html , publikuar më datë 24.10.2012, i bën jehonë një konzorciumi norvegjez që ka bashkuar kompani të fuqishme norvegjeze dhe kompaninë amerikane “Blackard Group”. Sipas lajmit të dhënë, konzorciumi norvegjez përbëhet prej korporatës për zhvillim industrial të Norvegjisë“SIVA”, kompanisë “Innovation Norway”, ”Normac Investment Group”, kompanisë për zhvillimit të biznesit të vogël “Smaabedrifforbundet”, kompanisë që merret me transport mallrash dhe investime “Tonnevold” si dhe të kompanisë së njohur amerikane “Blackard Group”.

Por, në datë 22.11.2012 në http://alsat-m.tv/ekonomi/169875.html njoftohet se ka dështuar tenderi për zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe menjëherë është shpallur një tender i ri që do të zgjasë 30 ditë, kurse më së voni deri më 10 Janar të vitit 2013 do të shpallet kompania fituese, e cila menjëherë do të duhet të fillojë punën në terren. Në datë 12.12.2013 në http://www.koha.mk/aktuale/19039.html sqarohet se nga ofertuesit e interesuar, pos kushteve tjera, do të kërkohet edhe të kenë të paktën 10 milionë euro të ardhura totale në vit në një nga vitet e fundit për të cilën ka të dhëna, si dhe përvojë të konsiderueshme në menaxhimin e zonave të lira ekonomike apo parqeve industriale.

Në datë 15.01.2013 në http://www.koha.mk/aktuale/19517.html bëhet e ditur se deri në fund të afatit për dorëzimin e ofertave për zonën e lirë ekonomike në Tetovë, në drejtorinë përkatëse, është dorëzuar vetëm një ofertë për menaxhimin e kësaj zone, ajo nga kompania norvegjeze "Norma Investment Grup", konzorcium ky i përbërë nga 5 kompani norvegjeze, tre prej të cilëve janë kompani private dhe dy shtetërore (korporata për zhvillim industrial të Norvegjisë “SIVA”, kompania "Innovation Norway", "Norma Investment Group", kompania për zhvillimin e biznesit të vogël "Smaabedrifforbundet", kompania që merret me transport mallrash dhe investime "Tonnevold" si dhe kompania e njohur amerikane "Blackard Group").

Kjo konfirmohet edhe në http://www.koha.mk/aktuale/19673 në datën 25.01.2013 ku thuhet se Ministri i ekonomisë Valon Saraçini, ka kumtuar sot se "NORMAK Investment Group" edhe zyrtarisht është konsorciumi që do të ekonomizojë me zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe në Gazetën “KOHA”, në 26 janar 2013, në faqe 4 ku thuhet se "Normac Investiment grup" merr Zonën ekonomike në Tetovë dhe se ndërtimi i saj do të zgjasë 7 vjet. Në faqen zyrtarehttp://www.economy.gov.mk/SQ/ministria/3367.html të Ministrisë së ekonomisë dhe në atë të BDI-së http://www.bdi.mk/lajmi.php?id=1247 sillen fjalët e Ministrit Saraçini: - “Për mua është veçanërisht e rëndësishme që tenderin për zonën e Tetovës, e fitoi një kompani serioze, me përvojë të madhe në këtë lloj aktiviteti, me më shumë se 100 projekte të tilla të zbatuara në botë.”

MEGJITHATË:

1. “NORMAC Investment Group” (në disa raste shkruar gabimisht si “NORMAK Investment Group” ose “NORMA Investment Group” në web-faqet me burim informacioni nga Maqedonia, të cilat flasin për kompaninë që do të ndërtojë zonën e lirë ekonomike në Tetovë) ka si adresë: Badeveien 12, 3970 LANGESUND, NORWAY (Norvegji) http://norwaycompanies.org/normac-investment-group-as.21636.norway-company.html

2. Kompania “Normac Investment Group” (me seli në Badeveien 12, 3970 LANGESUND, Norvegji), përcaktohet nga Komisioni tenderues si fitues i tenderit për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Tetovë, pa përmendur askund kompanitë tjera norvegjeze, as në faqen zyrtare të Ministrisë së ekonomisë http://www.economy.gov.mk/SQ/ministria/3367.html as në Gazetën“KOHA” faqe 4, 26 janar 2013 – “"Normac Investiment grup" merr Zonën ekonomike në Tetovë”.

3. “Normac Investment Group” nuk është konsorcium i fuqishëm norvegjez. Në kuadër të tij nuk bëjnë pjesë dy kompani shtetërore dhe tre kompani private norvegjeze, siç është pretenduar, por është një kompani shumë e vogël private pa ndonjë aktivitet në sferën e zonave të lira ekonomike http://1890.no/id/Normac-Investment-Group-AS

4. “Normac Investment Group” është themeluar rreth një vit më parë, në 19 janar 2012 dhe është regjistruar në 8 mars 2013 http://1890.no/id/Normac-Investment-Group-AS . Ky është një tregues indirekt se firma në fjalë është themeluar posaçërisht për tenderin për zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Këtë e dëshmon edhe emri i firmës "NORMAC" (Norway-Macedonia), gjë që është dëshmi për mungesë aktiviteti të deritanishëm.

5. “Normac Investment Group” si kompani nuk ka përvojë të madhe në menaxhimin me zonat e lirë ekonomike, siç prendohet nga Ministri i ekonomisë, dhe pas vetes nuk ka 100 projekte të realizuara në këtë lëmi, sepse është regjistruar më 8 mars 2012 http://nol.no/bedrift/normac-investment-group/998061741 !

6.“Normac Investment Group” nuk plotëson kushtin prej të paktën 10 milionë euro të ardhura totale në vit në një nga vitet e fundit për të cilën ka të dhëna, sepse ajo nuk ka patur kurrfarë aktiviteti dhe nuk ka as edhe një vit që është regjistruar si kompani, më 8 mars 2012!http://norwaycompanies.org/normac-investment-group-as.21636.norway-company.html

7.“Normac Investment Group” ka kapital prej vetëm 30.000 krunash norvegjezehttp://1890.no/id/Normac-Investment-Group-AS Kur kujton se 1 euro = 7.44 kruna, atëherë kuptohet se kapitali i saj është vetëm rreth 4.000 euro. Ky është kapitali minimal i lejuar për themelimin e një kompanie në Norvegji http://en.wikipedia.org/wiki/Aksjeselskap
Pra, një kompani me kapital 4.000 euro ka marrë tenderin për një investim prej miliona eurosh (nëse nuk gaboj, nga ajo që shkruan shtypi, mbi 150 milionë euro)!

8. “Normac Investment Group” është kompani private me përgjegjësi të kufizuar, gjë që tregon se pronarët e saj nuk përgjigjen tej kapitalit të kompanisë (në këtë rast vetëm 4.000 euro, ndërsa premtohet se nëse nuk i përmbahet marrëveshjes, kompania do detyrohet të paguajë gjoba prej një rroge mesatare në ditë, d.m.th. 330 euro në ditë – pra rreth 10.000 euro në muaj!).http://1890.no/id/Normac-Investment-Group-AS

9. “Normac Investment Group”, si kompani, me aq sa mund të mësohet nga kërkimet në internet, nuk ka webfaqe, nuk ka email dhe nuk ka telefon http://1885.no/info/normac-investment-group dhe ka tre persona drejtues: njëri është Lars Rise (1955), drejtues i kompanisë, dhe dy zëvendësit e tij, Signe Marit Prestegard (1971) dhe shqiptari, Aki Etemi (1967)!!! http://www.proff.no/roller/normac-investment-group-as/langesund/-/998061741/

10. Përderisa në zonat e lira ekonomike joshqiptare po investohen rreth 200 milionë euro dhe pritet të ketë mbi 11.000 punësime, zona e lirë ekonomike e Tetovës vazhdon të jetë një zonë e mbushur me therra, mace dhe qenë endacakë. Pas premtimeve pompoze për punësimet e shumta që do të bëhen në zonën e lirë ekonomike në Tetovë, që prej vitit 2007, tash për herë të parë u tha se vetëm ndërtimi i zonës së lirë ekonomike do të zgjasë edhe 7 vjet, pa përmendur këtu edhe sa vite shtesë do të duhen për sjelljen e investuesve dhe ndërtimin e fabrikave për punësimin e njerëzve! Dhe ndërkohë që deri tani zyrtarët shqiptarë kishin deklaruar shumë shpesh se në zonën e lirë ekonomike të Tetovës do të punësohen 5.000 - 7.000 persona, Gazeta “KOHA” e 26 janarit 2013 sjell deklaratën e Drejtorit të zonave të lira ekonomike Viktor Mizo se është herët për të precizuar numrin e kompanive apo të punësuarve që do të ketë kjo zonë! Edhe pse në 12 vitet e pasluftës, për rreth 10 vite, ministër i ekonomisë ka qenë shqiptar, kuadër i BDI-së, rrëfimi për zonën e lirë ekonomike të Tetovës ka qenë dhe vazhdon të jetë sinonim i rrëfimit ‘prit gomar, të mbijë bar’! Qofsha gabim!

Dr. Artan Dika
Nënkryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare