22Nëntor2017

DEKLARATË E RDK-së LIDHUR ME ZGJEDHJET LOKALE

10.04.2013 - Pres konferencë e RDK-së

Kryesia e ngushtë e RDK-së në përbërje Rufi Osmani – kryetar, Izet Zeqiri – sekretar dhe nënkryetarët Artan Dika dhe Gikten Aziri, sot në selinë e partisë në Shkup mbajtën konferencë për shtyp.

Qëndrimet e RDK-së në lidhje me zgjedhjet e porsapërfunduara lokale i shpalosi nënkryetari Artan Dika.

“Rilindja Demokratike Kombëtare dëshiron të falënderojë të gjithë ata që votuan për kandidatët e saj në zgjedhjet lokale dhe t’i garantojë se votat e RDK-së janë votat më të pastra në këtë proces zgjedhor të mbushur me manipulime dhe me korrupsion të lartë zgjedhor si asnjëherë në historikun e demokracisë së brishtë në vend. Garimi në këtë garë të pabarabartë, shpesh të pandershme dhe me media televizive ekstremisht të partizuara, ka qenë një ndërmarrje e vështirë por e domosdoshme, ashtu siç është i vështirë por i domosdoshëm ballafaqimi i njerëzve të drejtë dhe të ndershëm me padrejtësitë dhe intrigat e garniturave aktuale në pushtet.
Në këto zgjedhje RDK-ja ka shënuar rritje të dukshme në komunat si Gostivari, Struga, Studeniçani, Tearca, Vrapçishti, etj., por ka patur edhe rënie në disa komuna në Shkup dhe në rrethinën e tij si edhe rezultat pak a shumë të njëjtë si ai i dy viteve më parë, në komuna të tjera.
RDK-ja pas rethit të dytë zgjedhor tejkalon 35.000 vota në nivel nacional dhe është mbi rezultatin e vitit 2011.
Rezultati i raundit të dytë në Gostivar dëshmoi bindshëm se Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, gëzon padiskutueshëm, me 18.250 vota, mbështetjen dominante në elektoratin shqiptar të kësaj komune. Megjithatë, përkrahja e jashtëzakonshme e votuesve të aleatit të madh të BDI-së, VMRO, e kombinuar me përkrahjen korruptive të PDSH-së dhe të bartësve të aktivitetit politik të LSDM-së dhe blerjen e disa mijëra votave nga romët dhe qytetarë të varfër të të gjitha bashkësive etnike, përmbysën rezultatin zgjedhor.
Në Gostivar kandidati i BDI-së fitoi në këto zgjedhje falë korrupsionit të madh zgjedhor dhe me votën e joshqiptarëve, të cilët votuan masovikisht nën direktivat dhe kërcënimet e qeveritarëve më të lartë, duke u sjellë në vendvotime me furgonët e aktivistëve të BDI-së.
Fitorja hileqare e kandidatit të BDI-së në Gostivar është fitore e turpit politik dhe kriminalizimit të skajshëm të procesit zgjedhor, duke shkelur vullnetin e popullit shumicë shqiptar dhe duke krijuar precedent të rëndë të shkeljes së demokracisë në nivele të paparë deri më tash.
Fatkeqësisht, edhe këto zgjedhje dëshmuan se shkaku i vetëm i përçarjes dhe humbjes së opozitës shqiptare në Maqedoni dhe fitores së BDI-së është kreu i PDSH-së dhe politika e tij destruktive, duke qenë më i interesuar që të dëmtohet RDK-ja se sa të fitojë PDSH-ja.
Ky person, i cili vazhdon të jetë kanceri politik i skenës politike shqiptare, tashmë e ka dëshmuar se nuk lufton për fitoren e partisë së tij, por për mbijetesën e tij politike.
Injorimi i ofertës së RDK-së për mbështetje opozitare reciproke në raundin e dytë dhe mbështetja tinzake dhe korruptive e BDI-së në Gostivar nga deputeti dhe nga kandidati i tij për kryetar të komunës së bashku me strukturat e tij partiake argumentojnë edhe një here rolin e kalit të Trojës që vazhdon ta luajë ky person me pasoja të dëmshme politike dhe kombëtare.
RDK e ka dëshmuar konstruktivitetin e saj kombëtar dhe opozitar, si në rastin e Kërçovës ashtu edhe në rastin e Strugës.
RDK është shfaqur në skenën politike shqiptare si një alternative ndryshe, nëse shqiptarët vendosin të ndryshojnë gjendjen e mjeruar në të cilën janë katandisur. Ndershmëria, intelektualizmi dhe shpresa që përfaqësuesit e RDK-së përfaqësojnë, janë vlera që i duhen RDK-së dhe shqiptarëve në Maqedoni.
Organet qendrore të RDK-së gjatë ditëve në vijim do të analizojnë rezultatet zgjedhore dhe do të dalin me qëndrime meritore, të cilat do t’ia komunikojnë opinionit publik me kohë”, theksoi Dika.

Në pyetjet e gazetarëve u përgjigj kryetari Rufi Osmani.

Shërbimi për informimi RDK-së