18Dhjetor2017

Kryetari i RDK-së Rufi Osmani dhe bashkëpunëtorët e tij u takuan me udhëheqësin e Misionit të OSBE – ODIHR, Gert Ahrens

02.04.2013 - Sot në Selinë e RDK-së në Shkup, Kryetari i RDK-së, Prof. Rufi Osmani, i shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm, Izet Zeqiri, dhe dy nënkryetarët, Artan Dika dhe Gikten Haziri, priti në një takim Udhëheqësin e misionit të OSBE/ODIHR-it në Maqedoni, Z. Gert Ahrens dhe analistin politik të këtij misioni, Z. Stefan Szwed.

Takimi kishte për qëllim dhënien e informacionit lidhur me situatën aktuale politike në Maqedoni si edhe zgjedhjet lokale të 24 marsit. Kryetari i RDK-së Rufi Osmani i informoi mysafirët me shkeljet e shumta të procesit zgjedhor, duke përfshirë blerjen masive të votave nga përfaqësues të BDI-së, përfshirë edhe djalin e kandidatit të BDI-së në Gostivar, votimet e shumëfishta, kërcënimet dhe frikësimet me masa ndëshkuese ndaj votuesve, fshirjen e një numri të madh votuesish opozitarë nga listat e votimit, votimin si të sëmurë me vërtetime të falsifikuara një ditë para 24 marsit, të një numri të konsiderueshëm personash të shëndoshë - të evidentuar tashmë me emër dhe mbiemër dhe të paraqitur në organet përkatëse, prishjen e heshtjes zgjedhore dhe manipulimin e rezultatit zgjedhor nga komisione komunale zgjedhore, siç ishte rasti i fundit në Komunën e Çairit.

Kryetari i RDK-së shprehu shqetësimin për favorizimin dhe propagandimin e vazhdueshëm vetëm të partisë shqiptare në pushtet nga mediat televizive në gjuhën shqipe dhe habinë për shpenzimet e shumta të bëra nga partia shqiptare në pushtet, e cila vetëm në një televizion, vetëm për 19 ditë fushatë, ka paguar mbi 156.000 euro për reklamimin e saj, pa përmendur shpenzimet tjera të kësaj partie gjatë fushatës zgjedhore.

Rufi Osmani shprehu shqetësimin se partia shqiptare në pushtet do të tentojë të manipulojë procesin zgjedhor edhe në raundin e dytë dhe kërkoi nga Z. Ahrens dërgimin e sa më shumë vëzhguesve, për të parandaluar parregullsitë dhe falsifikimet e ndryshme, duke ju bërë të ditur mysafirëve se RDK-ja do të kundërshtojë çdo tendencë për të manipuluar votën e popullit nga partia shqiptare në pushtet.
Mysafirët nga OSBE/ODIHR shprehën kënaqësinë për takimin e realizuar dhe gatishmërinë për të grumbulluar të gjitha informacionet e nevojshëm lidhur me zhvillimet aktuale në vend, në këtë fazë delikate të zgjedhjeve, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme.

Shërbimi për informim – RDK