17Gusht2017

Kryetari i RDK-së Rufi Osmani udhëheq në garën për komunën e Gostivarit

25.03.2013 - Edhe përskaj faktit se u ballafaquam me një Komision Komunal Zgjedhor ekstrem të politizuar, blerjes së madhe të votave, manipulimit dhe shantazhimit të qytetarëve nga ana e kandidatit të BDI-së, kryetari RufiOsmani arriti të tubojë 14.278 vota të pastra si loti dhe të prijë në rrethin e pare zgjedhor për komunën e Gostivarit.

Kryetari Osmani, mbrëmë vonë, I u drejtua mijëra përkrahësve të tubuar para selisë së degës së RDK-së në Gostivar, duke i siguruar se në rrethin e dytë zgjedhor, RDK në Gostivar në bashkëpunim me opozitën në rrethin e dytë do të fitojë me një fitore të thellë dhe nuk do të lejojë që me komunën e Gostivarit të menaxhojë njeriu i cili i shkaktoi dëm të papërshkrueshëm kësaj komune.

“Këtë betejë ju e keni fituar dhe sërish do ta fitoni. Në këtë betejë ne nuk kemi konkurruar vetëm me një zullumqar, por ne kemi luftuar me struktura të caktuara të shtetit të Maqedonisë. Ata me paratë pista këtu kanë blerë së paku 5000 vota. Të jeni të sigurtë se vullneti i juaj i çeliktë, dëshmon se komuna do të udhëhiqet nga ju, nga njerëzit e ndershëm që ju do I votoni. Ju po më jepni vullnet të madh që komunën do ta udhëheqin njerëz të ndershëm që ju i doni dhe i preferoni. Nuk mundet që kriminelë ordinerë, as paratë e pista të BDI-së, ta mundin vullnetin tuaj të sinqertë”, theksoi Osmani.

Ai ftoi simpatizuesit e RDK-së që për rrethin e dytë, t’i forcojnë rradhët politike edhe me forca të tjera politike opozitare.

 “ Ne do të mundësojmë që opsioni ynë opozitar, të mos fitojë vetëm në Gostivar, por të fitojë edhe në Vrapçisht, Strugë, Tearcë dhe në komuna të tjera. Fitorja mbetet e juaja si gjithmonë, sepse çdo votë e juaja, çdo votë e RDK-së është e pastër si loti”, nënvizoi ai.

Osmani mbylli fjalimin e tij duke ju premtuar mbështetësve dhe simpatizan të vetë RDK-së, se pas dy javëve, do të festojnë dhe gëzojnë bashkë fitoren e madhe në sheshin e flamurit në Gostivar.

Vlen të theksohet se 866 vota janë shpallur si të pavlefshme, shumica e të cilave kanë qenë vota të sigurta për kryetarin Rufi Osmani dhe sëbashku me këto vota dallim do ishte mbi 1600 vota.

Në komunat tjera ku RDK, konkurroi me kandidatë të vet, në shumicën prej tyre, arriti rezultat të volitshëm dhe do të jetë e përfaqësuar me anëtarë në këshillat e ardhshëm komunalë.

Shërbimi për Informim