17Gusht2017

Intervista e Kryetarit Rufi Osmani për gazetën “Lajm”


Rufi OsmaniRufi Osmani22.03.2013
Jemi komuna e vetme shqiptare me Rejting Kreditor, me fonde te huaja disa miliona eurosh, me transparencë maksimale dhe me zero korrupsion.

LAJM: Çka mund të presin qytetarët pas një fitore tuajën të dytë në Gostivar? Cilat do të jenë projektet më të mëdha që do ti realizoni?
RUFI OSMANI: Për mandatin e ardhshëm komuna e Gostivarit nga fondet ndërkombëtare dhe buxheti i vet themelor, ka të siguruara rreth 20 milion euro për investime kapitale. Do të përmendim disa nga projektet e planifikuara:Përfundimi i stacionit të filtrimit të ujit të të pijshëm për qytetin e Gostivarit nga granti i siguruar nga qeveria zvicerane në vlerë prej 2.2 milion euro.Rehabilitimi i sistemit për furnizim me ujë të pijshëm dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve në territorin e gjithë komunës nga kredia prej 6.5 milion euro e KHW bankës gjermane.Investime në ndriçimin publik në qytet dhe fshatra me mjete te siguruara nga kredia e Bankës Botërore prej 1 milion euro.Krijimin e qendrës për zhvillim rural për rajonin e Gostivarit me mjete të siguruara në vlerë prej 200 mijë euro nga IPARD programi.

Do të mbyllet problemi i deponisë në rajonin e Pollogut duke pasur parasysh interesin e qytetarëve dhe investitorëve të huaj konform rregullave të ekonomisë së tregut.Ndërtimi i Urës mbi lumin Vardar që lidh spitalin e qytetit me dy shkollat e mesme komunale.Riasfaltimi komplet i dy bulevardeve të qytetit në tërë gjatësisë e tyre dhe rikonstrumi dhe riasfaltimi i shumicës së rrugëve kryesore të qytetit.Shtrimi me asfalt ose me pllaka bekatoni të shumë rrugëve dhe rrugicave në vendbanimet rurale (posaçërisht të fshatrave më të mëdha).Ndërtimi i terreneve dhe sallave sportive ne shkollat publike ndërtimi i paraleleve në çerdhet e qytetit.Fillimi i realizimit të gazifikimit të institucioneve publike dhe realizimi i efikasitetit energjetik nga burime buxhetore dhe partnerë të jashtëm. Ndërtimi i dy zonave ekonomike-industriale një ne Çegran dhe e dyta së bashku me komunën e Vrapçishtit në mes të dy komunave.Për këto dhe për projekte të tjera jemi komuna e vetme që kemi konstruksion financiar të siguruar nga burime të jashtme dhe nga buxheti komunal.

 LAJM: Sa ishte vështirë gjatë këtyre katër viteve të jeni kryetar komune nga një parti opozitare?
RUFI OSMANI: Pa diskutim ka qenë një mandat shumë i vështirë duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat u ballafaqova. Mora komunën me 11 milionë euro borxhe me një buxhet prek 3.5 milion euro. Pagova 6 milion euro borxhe për dy vite, bankrotova një NPK dhe shleva 2.5 milion euro borxhe, dhe pjesën tjetër te borxheve te NPK e prolongova për 5 vitet e radhës. Arrita të realizoj 8 milion euro investime kapitale duke dyfishuar buxhetin bazë në vitin 2013 në 7.2 milion euro.
Pushteti qendror për 4 vitet e mandatit 2009-2013 nuk investoi asnjë euro në Gostivar edhe pse e ka obligim ligjor të bëjë investime në arsim, infrastrukturë dhe ekologji.

LAJM: A keni pasur obstruksione nga pushteti qendror? Cilat kanë qenë format më të shpeshta të presionit?
RUFI OSMANI: Obstruksionet kanë qenë permanente me direktiva të ministrave të BDI-së dhe në veçanti kundër-kandidatit të kësaj partie që garon në zgjedhjet lokale 2013. Në mënyrë permanente i kanë marrë disa herë kompetencat në sferën e urbanizmit dhe kanë bërë dëme duke prishur objekte të ndërtuara dhe duke anulluar shumë leje ndërtimi dhe duke korruptuar shumë investitorë.
Inspektorët e arsimit kanë dënuar drejtorët dhe profesorët për pushimin në ditën e Bajramit dhe për raste kur nuk kanë pasur të drejtë. Për 4 vite me radhë e kanë kthyer 25 herë planin gjeneral të komunës dhe nuk lejuan të miratohet ndryshimi i PGJ me çka u pamundësua ndryshimi i planeve detale dhe realizmi i ideve inventive në komunë. Policia e Gostivarit për tre vite me radhë nuk jepte leje për ndryshim të regjimit të komunikacionit dhe nuk asistonte komunën në realizmin e punëve inventive duke bërë probleme permanente. Përkundër faktit që me kriteret e efikasitetit energjetik Gostivari i plotësonte kushtet shume me tepër se komunat e BDI-se investimet kapitale nga donatorë të huaj i orientonin në komuna që nuk kanë kurrfarë performance fiskale dhe kështu me radhë në pafundësi.
Rufi Osmani - Kryetar i Komunës së GostivaritRufi Osmani - Kryetar i Komunës së Gostivarit

LAJM: Keni pasur kritika për mangësi gjatë punës suaj katërvjeçare. Si do të ishit përgjigjur ndaj tyre?
RUFI OSMANI: I ndodhur në një situatë delikate në fillim të mandatit me xhirollogari të bllokuar dhe me borxhe enorme u detyrova për dy vite me radhë të bllokojë xhirollogaritë e tre mijë firmave dhe personave fizikë për shkak të mospagesës së taksës komunale dhe për pasojë ky veprim është kritikuar pa të drejtë. Në fillim të mandatit nxorrëm disa persona nga puna që ishin ekstrem të politizuar nga komuna dhe nga shkollat dhe për këto veprime kishim disa vërejtje që me kohë u zbehen. Përndryshe jemi komuna e vetme shqiptare me Rejting Kreditor, me fonde të huaja disa miliona eurosh, me transparencë maksimale dhe me zero korrupsion. Këto vlera kanë zhbëre kritikat e mësipërme në tërësi.

LAJM: Sa është me rëndësi që personi që garon për kryetar të ketë jetuar në komunën ku kandidohet dhe të njohë karakteristikat e asaj komune?
RUFI OSMANI: Pa diskutim se identifikimi me komunën në kuptim të njohjes së strukturës etnike, ekonomike, urbanistike dhe problemeve dhe mundësive të komunës janë parakushti shumë i rëndësishëm për të menaxhuar komunën me sukses. Fakti që jam intelektualisht shumë i anvancuar në plan teorik dhe kam përvojë shumë të suksesshme në administratë, politike, ekonomi dhe që jam njohës i mirë i sektorit privat dhe publik më jep përparësi të pakrahasueshme në raport me konkurrentët që janë në kuptim vleror shumë pas meje.

LAJM: Si është situata para zgjedhjeve në Gostivar? A ekziston rrezik për incidente eventuale në pjesën e mbetur të fushatës, apo në ditën e zgjedhjeve?
RUFI OSMANI: Situata para elektorale është e tensionuar shumë për shkak të faktit që BDI dhe kandidati i saj bëjnë trysni të madhe ndaj qytetarëve duke i kërcënuar, shantazhuar duke u ofruar para korruptive elektorale dhe shumë dukuri të cilat kanë krijuar frikë dhe pasiguri te qytetarët. Komisioni komunal që udhëhiqet nga kuadrot e BDI-së që janë persona me bindje shumë ekstreme negative ka përcaktuar vetëm anëtar të kësaj partie në komisionet votuese duke thyer rregullat e hedhjes së shortit duke futur në këto trupa votues njerëz të familjes së njëjtë dhe njerëz me dosje të dyshimtë. Tashmë nga kjo parti janë përcaktuar vendbanimet ku do tentohet të dhunohet procesi zgjedhor në veçanti në fshatrat e malësisë dhe në qytet duke aplikuar votimin e shumëfishtë.

LAJM: Çfarë mendimi keni për kundër-kandidatët tuaj?
RUFI OSMANI: Sa i përket oponentit tim nga radhët e PDSH-së, nuk kam çka të komentoj ngase as unë dhe as qytetarët e Gostivarit nuk ia dimë kapacitetin intelektual dhe menaxherial, por sidoqoftë gabimi i tij është që ka pranuar të kandidojë në emër të një partie e cila në Gostivar shihet si alternative humbëse. Për oponentin tim nga radhët e BDI-së, do ta ripërsëris vlerësimin tim se ai është një zullumqar i madhe i cili Gostivarit i shkaktoi dëm prej disa miliona eurosh duke prishur qindra objekte në mënyrë joligjore dhe duke lënë borxhe të mëdha te papaguara . Për këtë menaxhim publik kriminal unë i ngrita 8 aktpadi penale të cilat kurdo që të fillojë të funksionojë shteti juridik në Maqedoni, do të procedohen dhe ai do ta marrë dënimin e merituar.
Ky rrënues i fatit ekonomik dhe social të qindra familjeve gostivarase, ky simbol i manipulimit të mijëra qytetërave nëpërmjet avanseve joligjore të komunaleve, krimit të organizuar dhe mafies urbane. Ky dilenxhi politik nëse përkohësisht nuk ndëshkohet nga institucionet e shtetit do të ndëshkohet nga vota e lirë e qytetarëve të Gostivarit. Kandidimi i N. Bejtës nga BDI është pa diskutim dështimi më i madh moral dhe politik i kësaj strukture me çka argumentohet se kjo parti definitivisht është nisur rrugëve të ish-PPD-së.
Për mandatin e ardhshëm komuna e Gostivarit nga fondet ndërkombëtare dhe buxheti i vet themelor, ka të siguruara rreth 20 milion euro për investime kapitale”, tha Osmani.