20Gusht2017

Konferencë për shtyp

21.03.2013 - SHQIPTARËT NUK DUHET TË BIEN PRE E MASHTRIMEVE TË BDI-së DHE PDSH-së PËR KËSHILLIN E KOMUNËS SË STRUGËS

Avokati Ardian Demiri sot mbajti konferencë shtypi me gazetarë në Strugë, bartësi i listës së RDKsë për këshilltarë, njëherit Kryetar i Degës së RDK-së në Strugë.

Rilindja Demokratike Kombëtare në Strugë njofton opinionin publik se dy partitë shqiptare po përhapin dezinformata të koordinuara, duke mashtruar shqiptarët se gjoja në komunën e Strugës rrezikohet vota shqiptare në këshill dhe se RDK-ja ditët e fundit para zgjedhjeve do ta tërheq listën e saj për këshilltarë. RDK dëshiron të informojë opinionin publik se aktualisht nuk ka asnjë rrezik të vërtetë për humbjen e votës shqiptare për këshillin e Strugës

Katër vjet më parë, shqiptarët me tre parti politike morën shumicën e këshilltarëve në Strugë, pra 14 këshilltarë shqiptarë, nga 27 gjithsej. Nëse kësaj i shtohet fakti se tani edhe kandidatët e PAE-s - që në zgjedhjet e kaluara fitoi 3 këshilltarë - janë pjesë e listës së BDI-së, atëherë kuptohet qartë se katër vite më parë me katër parti politike të ndara janë marrë 17 këshilltarë (shqiptarë dhe të PAE) kundrejt 10 këshilltarëve maqedonë.

Nga kjo kuptohet qartë se shumica shqiptare në këshill është e garantuar. Për fat të keq kjo propagandë e pandershme dhe qëllimkeqe ka për qëllim të mbulojë mjerimin që BDI dhe PDSH ju ofrojnë shqiptarëve për këshillin e Strugës. Janë këto dy parti që me dekada e kanë kthyer këshillin e komunës së Strugës në një institucion të turpit dhe të dështimit. Të njejtën gjë ato ju ofrojnë shqiptarëve edhe kësaj rradhe për këshillin komunal, me njerëz pa asnjë autoritet publik të vënë në krye të listave, të cilëve nuk guxojnë tua përmendin as përgatitjen profesionale.

Duke rikonfirmuar publikisht se në asnjë mënyrë nuk do të ketë tërheqje të listës së RDK-së për Strugën, ne potencojmë sërish se lista jonë është lista me njerëzit më të aftë dhe më të përgatitur, njërëz që kanë përvojë në komunën e Strugës dhe e njohin mirë pushtetin komunal. Ne besojmë se shqiptarët dhe të tjerët në Strugë do ta votojnë listën e RDK-së për t’i dhënë Strugës një këshill komunal autoritativ dhe funksional dhe se rrezikimi i peshës së votës shqiptare në këshill bëhet nëse votohen kandidatët pa asnjë përgatitje profesionale e bagazh intelektual të BDI-së dhe PDSH-së.

Për fund, RDK dëshiron t’i bëj të ditur popullit shqiptar në Strugë se edhe deri tani këshilli i komunës së Strugës kishte shumicë shqiptare - BDI 8, PDSH 4 dhe DR 2 këshilltarë - por sërish me këshillin e komunës qeverisi koalicioni BDI-VMRO. Nuk ka logjikë tani të gënjesh njerëzit se shqiptarët do ta humbin këshillin e komunës kur është krejt e pritshme që BDI nesër të qeveris në koalicion me partnerin e saj qeveritar VMRO ndërsa PDSH të zgjedh një prej partive maqedone për ta formuar shumicën në këshill, megjithëse shumicën do ta kenë shqiptarët, ashtu siç e kishin në këto tetë vite por qeverisën bashkë me joshqiptarët.

Banorë të Strugës, votoni listën e RDK-së si e vetmja mundësi për ta ndryshuar mjerimin që dy partitë BDI dhe PDSH i kanë dhënë këshillit të komunës së Strugës.

RDK – Dega Strugë