17Gusht2017

BDI me koalicione të fshehura !?

20.03.2013 - Rilindja Demokratike Kombëtare dhe partneri i saj i koalicionit TDP reagojnë ndaj partisë shqiptare në qeveri BDI e cila vazhdimisht akuzon këtë koalicion mes RDK-TDP, ndërsa vet këta në tubimet e tyre manipulojnë me flamurin e Turqisë edhe pse nuk janë në koalicion.

Një muaj prej kur është zyrtarizuar koalicioni RDK-TDP oponenti politik shqiptar BDI nuk ndali me akuzat e tyre kundrejt marrëveshjes së sinqertë dhe publike mes këtyre dy partive, koalicion i cili sjell vetëm të mira. Ato mbrëmë përveç se transportonin fshehurazi njerëz nga qytetet tjera, të cilët ndërronin autobusat në periferi të qytetit që të mbushin gjysmën bosh të sheshit, u dallua edhe shpalosja e flamurit të madh të Turqisë me qëllim të manipulimit të popullit turk dhe shqiptarë edhe pse ato nuk kanë asnjë marrëveshje ose koalicion me partitë turke.

RDK-TDP i bëjnë thirrje partisë e cila vetëm di të akuzojë, BDI-së, le ti bëjë publike koalicionet me partitë, pasi që deri tani vetëm marrëveshja me partinë e Canovskit është bërë publike. Le të përdorin flamurin e tyre ashtu siç e kishin qëndisur në Strugë. Mos manipuloni me popullin, mos keqpërdorni simbolet e vendeve të tjera, pasi që në tubimin e mbrëmshëm kishit harruar flamurin kombëtar shqiptar. Juve nuk ju ka mbetur asgjë tjetër përveç fletushkave bardh e zi të cilat bien vet në kundërshtim me atë se çka keni shkruar. Nuk ju ka mbetur asgjë tjetër përveç se të përdorni flamurin e Turqisë për të manipuluar popullin. Ju tashmë nuk jeni partia e ndërtimit, ju mbeteni simbol i manipulimit, kërcënimit dhe diskriminimit.

Koalicioni RDK-TDP është koalicioni i vërtetë i sinqertë dhe publik për të cilin qytetarët janë në dijeni dhe e përkrahin kudo. Ky koalicion do të sjellë të mira për qytetin dhe fshatrat dhe njëkohësisht do të sjellë zona ekonomike, punësime dhe investime në komunën e Gostivarit por jo vetëm.

Shërbimi për Informim