20Gusht2017

RDK shpalosi programin ekonomik para bizneseve shqiptare

23rdk-oevmp23rdk-oevmp12.03.2013 - Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) sot në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore ka promovuar programin e saj ekonomik parazgjedhor. Programin e shpalosi sekretari i përgjithshëm i RDK-së, Izet Zeqiri, njëherazi edhe kandidat i kësaj partie për Tetovën. 

“RDK ofron një program dhe projekt tjetër ekonomik për zhvillimin e komunave shqiptare, ndryshe nga partitë e tjera. Ne e dimë se fuqia politike e komunave gjithmonë varet nga fuqia e tyre ekonomike. Ne kemi si përcaktim parësor që me të gjitha përpjekjet dhe mjetet të mundësojmë zhvillimin ekonomik të komunave shqiptare”, theksoi Zeqiri.
RDK ka një strategji të qartë për zhvillimin e përgjithshëm të komunave në planin ekonomik, infrastrukturor dhe në sfera të tjera.
Kandidati për kryetarë të Tetovës, Izet Zeqiri tha se, “Tetova është thelluar në një krizë të thellë ekonomike, me një papunësi të lartë dhe pa zhvillime e projekte të së ardhmes” dhe mes të tjerash përmendi edhe mos qasjen dhe ndihmën e pushtetit qendror për Tetovën, si një ndër qytetet më të mëdha në Maqedoni. Zeqiri përmendi me theks të veçantë çështjen e ujit të pijshëm dhe ujësjellësit për Tetovën, një projekt akoma i papërfunduar.

Rufi Osmani, prezantoi gjithë punën e tij që ka bërë si kryetar i deritanishëm i Gostivarit, duke theksuar se pas punës së palodhshme dhe përkushtimit të madh, me bashkëpunëtorët e tij ka arritur që të kthejë borxhin prej 6 milion eurosh dhe me këtë të hapen perspektiva të reja për Gostivarin. Nëse fiton mandat të dytë, Osmani është i bindur se do të realizojë një numër të madh të investimeve dhe do të vazhdojë me zhvillimin e Gostivarit.

Në takim ishin prezent kompanitë anëtare të OEMVP-së, të cilët kishin rastin të njoftohen me programin ekonomik të prezantuar nga përfaqësuesit e RDK-së, nga Rufi Osmani dhe Izet Zeqiri, si dhe nga kandidatët për kryetarë të komunave të Kumanovës, Likovës, Çairit, Haraçinës, Zhelinës dhe Tearcës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri - Perëndimore, Menderes Kuçi tha se OEMVP është e kënaqur me marrëdhëniet e partneritetit midis biznesit shqiptar dhe politikanëve shqiptarë, dhe se shpreson se kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Shërbimi për Informim - RDK