20Gusht2017

Rufi Osmani mbajti konventën promovuese

09.03.2013 - Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, kryetar aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidat edhe për një mandat – Rufi Osmani, mbajti konventën promovuese në të cilën u prezantuan edhe kandidatët për këshilltarë në Komunën e Gostivarit nga radhët e RDK-së.

Në Konventën e cila u mbajt në Sallën sportive “Rinia” në Gostivar, para mijëra të pranishmëve në sallë dhe jashtë saj, ne një atmosferë impozante, Osmani foli për rezultatet e arritura deri më tani, si dhe platformën zgjedhore për mandatin e ardhshëm.

“Ekipi ynë përbëhet prej njerëzve të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Punët e kryera dhe rezultatet e arritura, ne i kemi dokumentuar në raportin e punës katërvjeçare të strukturës menaxheriale në mandatin që po lëmë pas. I kemi dokumentuar në materialet të cilat ua shpërndamë qytetarëve të Gostivarit, ku bëhet krahasimi ndërmjet asaj që është premtuar në vitin 2009 dhe që është realizuar deri më tani. Raporti i punës 4 vjeçare që do ta keni në posedim të gjithë ju, argumenton me numra, fotografi dhe fjalë sukseset tona dhe është kundërpërgjigja më e argumentuar ndaj propagandës gebelsiane të oponentëve tanë. Suksesin në menaxhim me komunën e Gostivarit nuk duan dhe nuk mund ta shohin vetëm daltonistët politikë. Ne jo vetëm që realizuam premtimet e dhëna por edhe i tejkaluam ato në të gjitha drejtimet ”, theksoi Osmani.

“Në mandatin që e lëmë pas,  u   ballafaquam me probleme dhe vështirësi të jashtëzakonshme të imponuara nga pushteti qendror nga humbësit e zgjedhjeve të vitit 2009 që edhe aktualisht garojnë në këto zgjedhje. Këta kalorës të Trojës politike nuk reshtën duke bërë probleme në të gjitha drejtimet, bllokuan investimet kapitale në arsim dhe infrastrukturë nga fondet qeveritare, manipuluan policinë lokale për tre vite duke bërë pengesa të shumta, bënë dhe bëjnë trysni të jashtëzakonshme mbi gjykatat, s’lanë inspeksion financiar, të tregut dhe të ndërtimit duke i detyruar të bëjnë kontrolle dhe trysni komunës, institucioneve arsimore dhe përkrahësve të RDK-së, dënuan drejtorët e shkollave pse nuk punuan ditën e Bajramit dhe çka nuk bënë. Por ne ia dolëm t’i mundin në të gjitha drejtimet sepse punuam me nder dhe gjithmonë dija jonë ishte shumëfish më e lartë se e këtyre personave të kyçur në korrupsion deri në fyt. Komuna e Gostivarit për rezultate të jashtëzakonshme në menaxhimin fiskal dhe komunal mori Rejtingun Kreditor nga Agjencioni Moody’s, pagoi në tërësi borxhet e trashëguara, realizoi 8 milion euro investime kapitale, rriti buxhetin bazë nga 3,5 milion në vitin 2009 në 7 milion euro në vitin 2013 dhe siguroi fonde shumë të volitshme financiare 12,5 milion euro për mandatin e ardhshëm katërvjeçar“, potencoi mes të tjerash Osmani.
 
Ai nënvizoi se komuna e Gostivarit tashmë paraqet një model  menaxhimi transparent, me korrupsion zero, model për maksimizimin e resurseve dhe zbatim të meritokracisë dhe bashkëpunimit korrekt me qytetarët, si  dhe thithje të investimeve nga bota e jashtme, për çka dëshmon shpallja e tij si kryetar më reformator në Ballkanin perëndimor. Po ashtu, ai përmendi një sërë projektesh kapitale të cilat ika realizuar komuna e Gostivarit gjatë mandatit të tij si dhe shpalosi një pjesë të projekteve të cilat planifikon t’i realizojë në mandatin e radhës, e për të cilat tashmë janë siguruar mjetet.

“Me mjete të siguruara nga fonde të jashtme, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin me ujin për pije për qytetin e Gostivarit, 2,5 milion eurosh grand nga qeveria zvicerane. Do ta zgjidhim problemin e deponisë rajonale, do të investojmë në zgjidhjen e problemit të rrjetit të ujësjellësit me një kosto prej 6 milion euro, mjete këto  të siguruara nga KfW Banka Gjermane, do t’i shtrojmë komplet  me asfalt të ri dy bulevardet e qytetit, do të ndërtojmë sallat sportive të gjimnazit të Gostivarit, shkollës së Debreshit dhe fshatrave të tjera dhe kështu do t’ju japim përgjigje se jemi më të zotë se ata, atyre të cilët dëmtuan komunën e Gostivarit duke mos lejuar që këto para të vijnë nga arka shtetërore. Do të ndërtojmë urën dhe rrugën që do të lidhë spitalin dhe dy shkollat e mesme të qytetit. Do të jemi komuna e parë shqiptare e cila do të gazifikojë institucionet publike, si dhe do të realizojmë edhe një sërë investimesh kapitale në të gjitha vendbanimet urbane dhe rurale”, shpjegoi Osmani. Zhvillimi ekonomik, investimet kapitale dhe hapja e vendeve të reja të punës do të jenë prioriteti kryesor në mandatin 2013-2017 përfundoi Osmani dhe ftoi qytetarët që në ditën e votimit të rrethojnë numrin 1.

Në konventë foli edhe kandidati për kryetar komune të Tetovës, deputeti aktual Izet Zeqiri.

“Ne do ta ndryshojmë gjendjen e mjerueshme, nënçmuese dhe degraduese të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk do të lejojmë që edhe më tutje të shqiptarët të eksploatohen ekonomikisht , të diskriminohen në arsim dhe kulturë dhe gjuhë nga pushteti qendror. Oponentët politik na thonë se jemi të vegjël, por ne nuk jemi me shtatin e pyllit dhe me mendjen e fyellit. E dëgjojmë kundër kandidatin e kryetarit Osmani, ish ministri dështuar i cili s ‘arriti dot t’i mësojë kompetencat e veta. Ai nuk bëri asgjë për decentralizimin. Ai kandidon në Gostivar sepse nuk bëri hajër si ministër, sepse Gruevski  ia varri lëkurën e ujkut në qafë. Duke votuar Rufi Osmanin, dijeni se  nuk do të votoni vetëm kryetarin e komunës, por do të votoni kryetarin e një partie politike me të cilin duhet të krenoheni sepse këtë lider nga Gostivari ua ofroni të gjithë shqiptarëve nga Struga deri në Kumanovë”, theksoi Izet Zeqiri në fjalimin e tij.
Konventën promovuese e përshëndeti edhe kryetari i PDT – Kenan Hasipi, i cili potencoi  rëndësinë historike të koalicionit RDK-PDT, koalicion ky që tejkalon kornizat politike dhe është ofertë e afrimit dhe bashkëpunimit në dobi reciproke ekonomike, investuese dhe kulturore.

Në këtë konventë u promovuan edhe kandidati për komunën e Vrapçishtit i koalicionit RDK-PDT si dhe lista e këshilltarëve të RDK-së për këtë komunë e udhëhequr nga Irihan Ebibi.
Aktivitetet zgjedhore të kryetarit të RDK-së, Rufi Osmani, të dielën do të zhvendosen në Strugë, Ohër dhe Dollnen.

Shërbimi për informim

gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013gostivar2013