18Dhjetor2017

RUFI OSMANI ME BASHKËPUNËTORËT PRITI UDHËHEQËSIN E MISIONIT TË OSBE/ODIHR-it GERT AHRENS DHE ZËVENDËSIN E TIJ

07.03.2013 - Sot në Selinë e Rilindjes Demokratike Kombëtare në Shkup, Kryetari i RDK-së, Prof. Rufi Osmani, i shoqëruar nga dy nënkryetarët e RDK-së, Artan Dika dhe Gikten Haziri, priti në takim Udhëheqësin e misionit të OSBE/ODIHR-it në Maqedoni, Z. Gert Ahrens dhe Zëvendësin e tij, Z. Donald Bison.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje për situatën aktuale politike në Maqedoni dhe zgjedhjet lokale të 24 marsit. Në fjalën e tij, Kryetari i RDK-së Rufi Osmani i njohu të pranishmit me vlerësimet e tij për aktualitetin politik, fushatën zgjedhore dhe qëndrimet e RDK-së. Në këtë drejtim Kryetari Osmani shprehu qëndrimin se RDK është një forcë e pjekur politike dhe me qëndrimin e saj të deritanishëm ka ndikuar pozitivisht në zgjidhjen e problemeve dhe jo në krijimin e tyre. Është vullnet i RDK-së që fushata zgjedhore të kalojë në mënyrë sa më të qetë e me mirëkuptim, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standarde të pranueshme. Megjithatë, Kryetari Osmani shprehu shqetësim për pabarazinë financiare në financimin e fushatave të partive politike, shumë nga të cilat financohen nga burime të padeklaruara. Ai shprehu brengën edhe për politikat redaktuese në media të caktuara, të cilat përmes tarifave të larta për reklamimin e partive opozitare dhe forma të tjera propaganduese favorizojnë partitë politike në pushtet. Ai theksoi shqetësimin për mospërsëritjen e keqpërdorimeve të të kaluarës me dukuri të tilla si blerja e votave, kushtëzimi i popullatës së varfër me ndihmat sociale dhe keqpërdorimin e premtimeve për punësimin e njerëzve në konkurse që përdoren për përfitime politike dhe punësime partiake. Udhëheqësi i misionit të OSBE/PDIHR-it në Maqedoni, Z. Gert Ahrens, shprehu gatishmërinë e misionit që ai udhëheq për të asistuar dhe kontribuar për zhvillimin e një fushate sa më të qetë dhe shmangien e problemeve në zgjedhjet e 24 marsit duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me të gjitha palët.

Është qëndrim i RDK-së, parti të cilën e udhëheq Prof. Rufi Osmani, se ajo ka mbështetur gjithmonë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar në mënyrë të qetë, në protesta në të cilat janë bërë publike organizatorët dhe qëllimet e protestave, siç kanë qenë në të kaluarën protestat e shoqatës së ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik dhe protesta për lejimin e ndërtimit të Xhamisë Burmali në qendër të Shkupit por RDK nuk mbështet protesta anonime përmes rrjeteve sociale, pas së cilave nuk dihet se kush qëndron, nuk dihet qëllimi i tyre dhe të cilat janë lehtësisht të manipulueshme.

Shërbimi për informim