17Gusht2017

Konferencë për shtyp - RDK bën publike disa kandidatura për kryetar komune

06.02.2013 - Nënkryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Artan Dika, në një konferencë për shtyp shpalli emrat e kandidatëve për kryetarë komunash, deri më tani të verifikuar nga radhët e kësaj partie.
“Në Gostivar, RDK garanton vazhdimin e qeverisjes së mirë, profesionalizmit dhe shtimin e investimeve lokale duke kandiduar kryetarin e saj dhe njëherazi kryetar aktual i komunës së Gostivarit  Rufi Osmanin.
Në Tetovë, RDK synon kalimin në raundin e dytë dhe fitoren e postit të kryetarit të komunës, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemet e saj të shumta, si ato me mospasjen e ujit të pijshëm dhe papastërtinë e qytetin, përmes kandidimit të deputetit më aktiv dhe më të argumentuar në Kuvendin e Maqedonisë  Izet Zeqiri.
Në Çair  RDK synon ti japë fund kaosit urban të ndërtimeve kudo pa asnjë kriter, rrugëve të shkatërruara dhe infrastrukturës së mjeruar, duke kandiduar nënkryetarin e saj, doktorin e shkencave politike Gykten Hazirin.

RDK synon të fitojë postin e Kryetarit të Komunës së Tearcës duke kandiduar me veprimtarin dhe biznesmenin e suksesshëm, Z. Ramadan Idrizi.
Beqir Çerkezi, magjistër i financave ështe kandidat për kryetar të komunës së Zhelinës nga radhët e Rilindjes Demokratike Kombëtare.
Për Kryetar të komunës së Bogovinës RDK ka kandiduar profesorin e kimisë, Z. Agim Rrahimi.
Në Saraj, Rilindja Demokratike Kombëtare do të garojë me doktorin e shkencave politike Z. Lulzim Farizin.
Në Haraçinë kandidat i RDK-së për zgjedhjet lokale do të jetë biznesmeni Fekri Bilalli.
Në komunën e Kumanovës, Rilindja Demokratike Kombëtare garon me inxhinierin e elektroteknikës dhe profesorin e gjimnazit të këtij qyteti, Z. Fatri Saliu.
Në Likovë kandidat për kryetar komune nga rradhët e RDK-së është ekonomisti dhe profesori në shkollën e mesme të Kumanovës, Elham Ademi” theksoi nënkryetari i RDK-së Artan Dika.

 

Ai njoftoi gazetarët se në komunat tjera, RDK po shfrytëzon kohën e mbetur për të finalizuar konsultimet me personalitete publike, biznesmenë, shoqatat e ndryshme dhe grupet tjera të interesit për nxjerrjen edhe në këto komuna të kandidatëve sa më cilësor për një garim të denjë në zgjedhjet lokale. “Këtu bën përjashtim Kërçova, ku RDK siç e ka bërë tashmë publike, për hir të unitetit ndërshqiptar, do të mbështesë kandidatin e BDI-së, por do të marrë pjesë në këto zgjedhje, në këtë komunë, me listën e saj për këshilltarë. Gjithashtu, RDK do të garojë me listat e saj për këshilltarë pothuajse në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni”, nënvizoi Dika.
Në konferencën për shtyp, kryetari i RDK-së Rufi Osmani u përgjigj në pyetje të shumta të gazetarëve të pranishëm, e që kishin të bëjnë kryesisht me pritshmëritë nga zgjedhjet lokale, bojkotin e zgjedhjeve nga opozita maqedonase, ligjin për sigurimin personal të deputetëve dhe të ngjashme.
 

Shërbimi për informim - RDK