18Dhjetor2017

Themelohet dega e RDK-së në Likovë

04.02.2013 - Rilindja Demokratike Kombëtare themeloi degën e saj në Likovë. Me votim unanim të 50 kuvendarëve, për kryetar të kësaj dege u zgjodh Juksel Iseni. Kuvendi gjithashtu e kandidoi për kryetar komune në komunën e Likovës Elham Ademin, profesor në shkollën e mesme ekonomike, ndërsa u miratua edhe lista e kandidatëve për këshilltarë në komunën e Likovës, të cilës i prin Gazmend Saiti.
Fjalë përshëndetëse mbajti kryetari Rufi Osmani, i cili mes të tjerash tha se RDK-ja është një alternativë reale e kohës, e cila para qytetarëve paraqet një vizion të qartë për perspektivën e qytetarëve, e cila synon përmirësim të kushteve të jetesës dhe afirmim të vlerave kombëtare.
“Menaxhimi  i komunës së Gostivarit duhet t’u shërbejë të gjithëve si argument se RDK-ja ka potencial intelektual dhe menaxhues të ballafaqohet me sfidat aktuale” theksoi mes tjerash Rufi Osmani.

Fjalë rasti mbajti edhe nënkryetari i RDK-së Artan Dika, i cili theksoi se duhen zgjedhur njerëz të cilët do të punojnë për të mirën e këtyre banorëve , e jo si këta të tanishmit që edhe pasuritë natyrore të kësaj komune nuk i vënë në dispozicion të banorëve. Kuvendin e përshëndeti edhe sekretari Izet  Zeqiri i cili tha se kjo komunë meriton të ketë përfaqësues më të denjë, të cilët do të dinë të menaxhojnë me resurset e kësaj komune.
Kryetari i RDK-së Rufi Osmani së bashku me sekretarin Izet Zeqiri, nënkryetarin Artan Dika dhe kryetarin e degës së Tetovës Hamdi Saiti, i shoqëruar nga aktivistë të degës së Kumanovës dhe Likovës, vizitoi muzeun e dëshmorëve dhe bëri homazh në varrezat e dëshmorëve në fshatin Sllupçan.

 


Shërbimi për Informim - RDK