22Shtator2017

Rufi Osmani u takua me ambasadoren e Gjermanisë


29.01.2013 - Kryetari i RDK-së dhe  i komunës së Gostivarit Rufi Osmani sot u takua me ambasadoren e Gjermanisë Gudrun Steinacker. Në një bashkëbisedim të hapur u diskutuan më shumë aspekte të menaxhimit politik në plan nacional dhe lokal në funksion të tejkalimit të krizës aktuale politike.

Kryetari Osmani riafirmoi pozicionet e RDK-së në kuptim të tejkalimit të krizës politike, tejkalim ky që duhet të jetë i lidhur me procesin e përparimit të integrimit të vendit në UE dhe zgjedhjen e kontestit të emrit të vendit dhe avancimin e proceseve demokratike në vend.

 

Në këtë drejtim kryetari Osmani rekomandoi që kompromisi i mundshëm duhet të realizohet nëpërmjet konstatimit të shkeljeve të rënda procedurale gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2013 dhe dënimit të dhunës fizike ndaj deputetëve dhe gazetarëve dhe alokimin e përgjegjësisë në udhëheqësinë e Parlamentit të vendit për këtë ngjarje negative të dhjetorit të 2013.

Si kompromis i pranueshëm nga të dy palët do të ishte dhënia e garancive të fuqishme nga Brukseli dhe Uashingtoni se pjesëmarrja e opozitës maqedonase në zgjedhjet lokale do të shoqërohej me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë vitit 2013. Si kundërshpërblim për këtë kompromise qeveria dhe opozita do të përkrahnin referendumin për tejkalimin e çështjes së emrit të vendit ndërsa UE do të përcaktonte datën e fillimit të negociatave për UE pas organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Kryetari Osmani rekomandoi kyçje më serioze të përfaqësuesve të UE-së dhe në veçanti të Gjermanisë në tejkalimin e krizës aktuale politike që mos përsëritet skenari që aktualisht ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në UE si pasojë e konflikteve të rënda politike në mes opozitës dhe qeverisë shqiptare.

Në fund në shenjë falënderimi per bashkëpunimin e suksesshëm me bankën gjermane KHW , nga e cila bankë komuna e Gostivarit ka siguruar 6 milion euro kredi të buta afatgjata,  kryetari Osmani i dhuroi ambasadores së Gjermanisë një pllakatë me logon e komunës së Gostivarit.

Shërbimi për Informim - RDK