22Nëntor2017

Heqja e lapidarit, akt vandal i pushtetit serb dhe dështim i politikës mbarëshqiptare


20.01.2013 - Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh indinjatë të thellë për aktin vandal të xhandarmerisë serbe, ku 200 efektivë të këtij njësiti të armatosur deri në dhëmbë, hoqën me dhunë lapidarin e ushtarëve të UCPMB-së të rënë për liri dhe te drejta, duke shpërfillur dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qendrore me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

RDK, qëndrimet politike të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare  i vlerëson si të vonuara dhe joproduktive  dhe si reagime të cilat janë në mision të heqjes së përgjegjësisë nga vetja për mos ndërmarrjen e veprimeve serioze diplomatike me të cilat do të parandalohej ky veprim i dhunshëm i qeverisë së Beogradit.  Qëndrimet e dy qeverive shqiptare, se heqja e lapidarit të UÇPMB-së është edhe një dëshmi për albanofobinë dhe jocivilizimin e qeverisë serbe, më shumë u ngjasojnë deklaratave të analistëve politikë sesa të qeverive që janë përgjegjëse për fatin e shqiptarëve ngjashëm si do kishin vepruar qeveri serioze perëndimore.

RDK fton institucionet ndërkombëtare që çështjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta trajtojnë me standardet e njëjta të reciprocitetit në raport me të drejtat e serbëve në Kosovë dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë se kanë qasje të ekuilibruar për të gjithë pakicat kombëtare, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe pavarësisht vendeve ku ato jetojnë.

RDK manifeston pakënaqësi serioze ndaj liderëve politikë të Luginës së Preshevës të cilët për motive të marketingut politik iu nisen një beteje politike dhe kombëtare për të cilën nuk kishin kapacitet politik dhe institucional që t’i dalin zot dhe për pasojë, vet këta liderë dhe subjekte politike mbajnë një pjese të fajit objektiv për këtë atentat të dyfishtë qe iu be martirëve të lirisë, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë kombit shqiptar.

RDK mbështet protestat e paralajmëruara gjithëpopullore të shqiptarëve të Luginës si e drejte legjitime për të shprehur revoltin dhe pakënaqësinë ndaj një veprimi anticivilizues dhe në funksion të kyçjes në tryezën e bisedimeve edhe të Luginës së Preshevës si territor i banuar me shumicë absolute shqiptare.

Shërbimi për informim - RDK