18Dhjetor2017

Zgjidhet kryesia qendrore e RDK-së dhe kryetari i Kuvendit qendror


07.01.2013 - Shtatëdhjetë e tre kuvendarët e pranishëm në mbledhjen e parë zgjedhore që u mbajt në Gostivar, njëzëri për kryetar të Kuvendit qendror zgjodhën Zenun Ismailin – ekonomist i diplomuar, kryetar aktual i degës së RDK-së në Kumanovë.

Kuvendarët zgjodhën edhe 21 anëtarë të Kryesisë qendrore, si dhe sekretarin e përgjithshëm dhe dy nënkryetarë të partisë. Sekretar u zgjodh deputeti Izet Zeqiri – dr.prof i shkencave të ekonomisë (Tetovë), ndërsa nënkryetarë Gykten Azirin – doktor i shkencave politike dhe kryetar I degës së Çairit dhe Artan Dikën – subspecialist i kirurgjisë plastike dhe jurist i diplomuar (Strugë).

“Me këtë kombinim të shtrirjes territorial ne bëjmë një përzgjedhje më demokratike dhe më cilësore, viza vi partive tjera. Rekomandimi im kryetarëve të degëve ishte që të propozojnë kandidatë profesionalisht të përgatitur dhe me kredibilitet, por të cilët njëherësh do të t’i sjellin dhe vota RDK-së. Duhet ta kemi të gjithë të qartë, se as unë si kryetar, e askush nga ju si anëtarë të kryesisë qendrore, nuk kemi mandate katërvjeçare. Mandati ynë ndërlidhet me përfundimin e zgjedhjeve lokale, kur konform rezultateve do të përcaktojmë kritere të reja të përfaqësimit, duke filluar nga kryetari, nënkryetari, sekretari dhe më poshtë”, theksoi kryetari Rufi Osmani, duke nënvizuar se pakënaqësitë eventuale do të mund të konsumohen dhe amortizohen me rezultate konkrete zgjedhore, gjë që do të reflektohet në përfaqësimin që do të pasojë.

Kryesia qendrore e RDK-së do të ketë gjithsej 27 anëtarë, përfshirë këtu kryetarin, sekretarin, dy nënkryetarët, si dhe kryetaren e Forumit të gruas dhe kryetarin e Forumit rinor të cilët do të zgjidhen në perspektivë. Në përzgjedhjen e anëtarëve të kryesisë qendrore dhe udhëheqësisë  së ngushtë, është respektuar përfaqësimi i drejtë i të gjitha viseve shqiptare ku RDK ka struktura ose ato janë në fazë të themelimit, duke pasur parasysh edhe numrin e anëtarësimeve dhe rezultatin në zgjedhjet paraprake parlamentare.

Shërbimi për informim