20Gusht2017

Qeveria heq dorë nga ndërtimi i disa projekteve të paralajmëruara në zonat shqiptare


28.12.2012 - Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare akuzon qeverinë VMRO-BDI se nga buxheti i propozuar për vitin 2013 janë fshirë dy projekte të paralajmëruara si nga platforma e partisë shqiptare në pushtet, ashtu edhe nga programi i Qeverisë.

“Projekti për ndërtimin e hidrosistemit Reçicë- Raven, që duhej të shërbejë për ujitjen e fushave në rajonin e fshatrave nga Reçica e Tetovës deri në Raven të Gostivarit dhe Penda e Sllupçanit, projekt kyç për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve në Komunën e Kumanovës dhe Likovës kanë figuruar në buxhetin e vitit 2012 në një zë të përbashkët buxhetor, ku përveç tyre kanë figuruar edhe disa projekte të tjera në zonat e banuara me maqedonas. Këta të fundit, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej në buxhetin e vitit 2013 dhe në shumicën prej tyre punohet me intensitet të lartë, ndërsa të vetmet që janë fshirë nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2013, janë dy projektet e lartpërmendura në zonat e banuara me shqiptarë. ” potencoi deputeti Izet Zeqiri.

Në projektin e vitit 2012 ishte paraparë të investohet 20 milionë denarë për hidrosistemin Reçicë-Raven dhe Pendën e Sllupçanit. Për të njëjtat projekte ishin paraparë edhe 34 milionë denarë për vitin 2013 dhe 55 për vitin 2014. Ne alarmuam kur u bë rebalanci pasi buxheti për këto dy projekte ishte shkurtuar nga 20 në 12 milionë denarë.
RDK akuzon se edhe shumë projekte të tjera të planifikuara në zonat e banuara me shqiptarë tanimë disa vite figurojnë në buxhet dhe të njëjtat kopjohen nga viti në vit dhe nuk realizohen. Por tashmë Qeveria ka filluar edhe ti fshijë duke e bërë të qartë se nuk duhet të shpresojmë në to.
Në buxhetin e vitit 2013 ka projekte të tjera të vogla dhe të mëdha për të cilat janë shkurtuar mjetet ose janë fshirë krejtësisht nga buxheti i vitit 2013.