18Dhjetor2017

Dhuna në parlament dhe miratimi i buxhetit me shkelje të procedurave juridike, precedenca të paparanueshme që çojnë vendin në anarki politike


26.12.2012 - Precedencat juridike gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2013 në Parlamentin e vendit të shoqëruara më brutalitetin dhe konflikualitetin ekstrem në mes të dy partive më të mëdha politike maqedonase, kanë krijuar pasoja shkatërrimtare për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vend.

Dhuna institucionale dhe qërimi fizik e hesapeve politike është epilog i pritur i një atmosfere shumë negative të krijuar për një periudhë të gjatë kohore në vend. Rilindja Demokratike Kombëtare dënon ashpër këto veprime antidemokratike që delegjitimuan rëndë Parlamentin e vendit si institucioni më i lartë juridik dhe demokratik.

Përgjegjësia kryesore për këtë skandal të rëndë politik dhe juridik, i takon kryesisht qeverisë aktuale sepse është pikërisht kjo qeveri që i dha pretekstin e bllokimit të Parlamentit opozitës nëpërmjet skenarit për miratimin e Ligjit për forcat e sigurimit. Thyerja e procedurave parlamentare në rastin e miratimit “antidemokratik” të buxhetit të vendit demaskoi rëndë koalicionin qeveritar VMRO-BDI dhe nxori në sipërfaqe zbatimin asimetrik të procedurave të njëjta juridike për ligje të propozuara nga pozita dhe opozita politike në vend.

Pyesim publikisht VMRO-në dhe BBD-në: A do të zbatojnë të njëjtën makineri procedurale votimi edhe në rastin e Ligjit për pjesëtarët e forcave të sigurimit maqedonas siç vepruan me rastin e miratimit të buxhetit të vitit 2013?

RDK në mënyrë shumë konzistente me 420 amendamentet e propozuara kontestonte përmbajtjen e Buxhetit për vitin 2013 si një buxhet i cili diskriminon shqiptarët në të gjitha drejtimet por në këtë betejë politike mbeti e vetme dhe pa përkrahjen e dy partive tjera politike shqiptare.

Dukë qenë e bindur se tentim-bllokimi me çdo kusht i buxhetit të vitit 2013 nga ana e LSDM-së nuk do të tolerohej nga qeveria aktuale dhe se konfrontimi brutal në parlament ishte i pashmangshëm, deputetët e RDK-së nuk pranuan të jenë pjesë e këtij turpi të madh politik paralamentar dhe nuk morën pjesën në mbledhjen e Parlamentit.

Rilindja Demokratike Kombëtare nuk përkrah veprimin e asnjërës nga dy partitë më të mëdha maqedonase dhe apelon edhe njëherë për ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë të faktorit relevant ndërkombëtar në funksion të tejkalimit të kësaj krize që tashmë delegjitimon institucionet politike në vend dhe është hyrje në një anarki të përgjithshme në vend.

Tejkalimi i kësaj situate të ndërlikuar politike në vend, mund të realizohet nëpërmjet krijimit të qeverisë gjithëpërfshirëse politike si qeveri teknike e cila do të krijonte kushte fer dhe do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentarë së bashku me zgjedhjet lokal si mekanizëm i vetëm demokratik i verifikimit të mandatit politik të qeverisë ekzistuese ose të rotacionit demokratik të pushtetit.

Në funksion të krijimit të parakushteve për të realizuar qeverinë teknike, RDK-ja rekomandon që të themelohet një komision parlamentar i udhëhequr nga opozita me përfaqësim të ekuilibruar të opozitës dhe pozitës, që të konstatohen fajtorët e vërtetë për dhunën fizike dhe juridike në parlament si mekanizëm i vetëm për rikthimin e dialogut në institucione.

Përderisa nuk ndërmerren veprime politike racionale për të tejkaluar situatën tepër të rënduar politike në vend, RDK nuk do të marrë pjesë në punimet e mëtejme të Parlamentit të vendit.

Shërbimi për informim, Shkup