Osmani: Organizatoret e protestave popullore duhet te artikulohen politikisht që të jenë pjesë e ambientit demokratik
15.05.2012 - Rilindja Demokratike Kombëtare mbajti kuvendin zgjedhor në degën e Butelit, me ç’rast kuvendarët njëzëri për kryetar të degës zgjodhën pedagogun e gjuhës shqipe, Naser Curri dhe kryesinë 17 anëtarëshe.Në kuvendnin zgjedhor të degës së RDK-së në Butel, morën pjesë kryetari Rufi Osmani, deputetët Izet Zeqiri dhe Flamure Kreci-Demiri, si dhe kryetari i degës së Çairit - Gykten Haziri.
“Si pedagog i gjuhës shqipe, duke njohur veprën dhe rolin e rilindësve tonë kombëtar, e aq më tepër nga shkaku se në krye të partisë e cila mban emrin Rilindje është profesori i nderuar dhe i dëshmuar prej shumë herët në planin kombëtar, Rufi Osmani, prej formimit të kësaj partie u zotova që do t’i shërbejë me gjithë qenien time. Tani kur ma dhatë besimin që unë ta udhëheq degën e RDK-së në komunën e Butelit, marr përsipër se do të punoj me përkushtimin më të madh dhe së bashku me ju do të realizojmë programin e kësaj partie”, tha Naser Curri pas zgjedhjes së tij për kryetar dege.
Kryetari Osmani në lidhje me protestat e fundit në vendbanimet shqiptare tha se për dallim nga partitë tjera shqiptare, RDK-ja ka mbajtur qëndrim neutral dhe ka përkrahur protestat si shenjë e pakënaqësisë së qytetarëve në funksion të mos përsëritjes së gabimeve me marrjen në qafe të njerëzve të pafajshëm për krimin e ndodhur në afërsi të Shkupit. RDK mbetet parimore në qëndrimin e saj se krahas zbulimit të ekzekutuesve të krimit në Smilkovc të Shkupit, duhet të zbulohen edhe porositësit e këtij akti kriminal dhe ata të marrin dënimin e merituar. Kryetari Osmani theksoi momentin që në organizime masive ku pjesëmarrës janë me mijëra qytetarë, detyrimisht duhet të dihen organizatoret që të njëjtit të mbajnë situatën nën kontroll dhe të mos lejojnë që elemente problematike t’i japin kahje të dëmshme protestës dhe më pas këto elemente të jenë shkas për ndjekje nga organet e rendit për veprime kundërligjore.
Osmani ripërsëriti qëndrimin e RDK-së se ajo është për bashkëpunim dhe forcim të opozitës shqiptare. “Ne kemi obligimin të bëjmë grupimin e tretë politik shqiptar i cili do të duhet të bazohet në parime, rregulla dhe principe që do na bëjë të ndryshëm nga të tjerët. Ne e kemi lënë të hapur çështjen e bashkëpunimit edhe me partitë që kanë më shumë mandate politike se ne, sepse në instancë të fundit jemi të vetëdijshëm se pa një bashkëpunim etnik shqiptar, çështjet tona nuk mund ta marrin të mbarën”, potencoi kryetari i RDK-së.
Të pranishmive iu drejtuan edhe deputetët nga radhët e RDK-së, Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri-Kreci.

“Deri më tani kemi parashtruar mbi 20 propozim ligje në parlament. Me këtë ne tregojmë se nuk jemi opozitë e cila vetëm kritikon proceset pa mos dhënë alternative se si të zhvillohen ato procese më tutje. Ne nuk merremi vetëm me politika të mëdha kombëtare, gjuhën, flamurin, por neve na intereson edhe ekonomia si një bastion rreth të cilit rrotullohen gjitha sferat tjera, na intereson punësimi, sepse dihet që fuqia politike rrjedh nga fuqia ekonomike. Me gjtihëse shumica parlamentare i ka refuzuar propozim-ligjet tona, të jeni të bindur se ato propozime, kurdo qoftë do të miratohen si ligje në Maqedoni”, theksoi mes tjerash deputeti Zeqiri.
“Shumë amendamente kishim për rebalancin e buxhetit, prej të cilave një numër i madh kishim të bëjnë me Butelin dhe vendbanime tjera shqiptare që janë tepër të anashkaluar. Shumica parlamentare nuk pranoi asnjë nga 160 amendamentet tona. Por, ne nuk do të heqim dorë, sepse ne kemi një program i cili ngërthen në vete çështje nga sfera të ndryshme dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të implementimit të programit tonë partiak”, theksoi deputetja Flamure Kreci-Demiri.
Kryetarit dhe kryesisë së porsazgjedhur të degës së RDK-së në Butel, u uroi punë të mbarë kryetari i degës së Çairit, Gykten Haziri i cili të pranishmit i njoftoi me aktivitetet e kësaj dege pas konstituivit të saj, si dhe premtoi bashkëpunim të ngushtë me degën e Butelit.
Sektori për informim – RDK

