18Qershor2013

Zgjidhen kandidatët potencial për deputet nga dega e Gostivarit

26.04.2011

Në njësinë zgjedhore nr. 6, dega e Gostivarit e Rilindjes Demokratike Kombëtare, në zgjedhjet parlamentare të 6 qershorit do të futet në garë me Naxhi Xhelilin, Fadil Zendelin, Besim Memedin, Jasin Demirin dhe Brikend Hazirin. Kjo u vendos mbrëmë në kuvendin zgjedhor të degës së Gostivarit, ku në mënyrën më demokratike u votua me vota të fshehta.


72 kuvendarë prej të gjitha lagjeve të qytetit dhe vendbanimeve rurale, propozuan kandidatë duke dhënë arsyetim të shkurtë për nominimin e tyre, ndërsa kandidatët e propozuar bënë një prezantim të shkurtë se si do t'i mbrojnë përcaktimet programore të partisë.

Në kuvendin zgjedhor, përveç delegatëve të pranishëm ishin edhe përfaqësues të degëve tjera të RDK-së, ku në ditët në vijim do të organizohen kuvende zgjedhore.


"Është ky një proces i cili në momentin kur do të përfundojë, do të duhet të na nxjerrë më të bashkuar dhe më unik, duke përkrahur maksimalisht ata të cilët do të fitojnë më shumë vota dhe duke respektuar ata që do të marrin më pak vota", theksoi mes tjerash kryetari i RDK-së Rufi Osmani. Ai sqaroi se radhitja e kandidatëve në listën zgjedhore do të bëhet në bazë të votave të fituara, duke i koordinuar ato me kandidatët që do të vijnë nga degët tjera në njësinë zgjedhore nr.6.


Listës së deputetëve nga dega e Gostivarit do t'i shtohen edhe tre kandidate femra të cilat do të verifikohen në Kuvendin qendror të RDK-së duke u bazuar në propozimin e Forumit të femrave të RDK-së dhe në pajtim me kompetencat statutore të kryetarit të RDK-së.

Megjithatë, fjalën e fundit për listën zgjedhore do ta ketë Kryesia qendrore e partisë, e cila varësisht nga kandidimet e partive tjera, do të mund të bëjë ndonjë ndërhyrje eventuale në radhitjen e kandidatëve të nominuar.