16Dhjetor2017

Pse insistohet nga BDI për president konsensual? - Shenazi Xheladini

17.02.2014 -Për ta mbrojtur apo për të vazhduar edhe më tej me shkeljen e vullnetit të shqiptarëve?

Ka një kohë të gjatë që në lajmet e para dëgjohen prononcimet e BDI-së e cila kërkon president konsesual dhe e cila thekson se nëse nuk bëhet kjo do kërkojnë alternativa tjera si: zgjedhje të parakohshme etj.,etj".

Përshtypjet e para të bëjnë të mendosh se vërtet kësaj radhe këtë ide e kanë serioze dhe vërtet po i mbrojnë interesat e shqiptarëve, por kur të shikosh anën tjetër të medaljes sheh kush janë këta, a vërtet po mbrojnë të drejtat e shqiptarëve apo siç po shprehen ata vetë ''nuk lejojnë të shkelet vullneti i shqiptarëve". Po të ishin paraqitur këtë vit në skenën politike për herë të parë do t'u besonim, por kur shikojmë të kaluarën e tyre politike dhe të bëmat e tyre vetëm në dekadën e fundit atëherë shtrohet dilema nëse vërtet BDI do ta respektojë vullnetin politik të shqiptarëve?

Vullneti i shqiptarëve u shkel duke filluar me proceset e montuara politike që nga viti 2003 me rastin e Sopotit dhe BDI-së fare nuk ju kujtua ta mbrojë këtë vullnet.

Ku ishte BDI kur ministrja e Punëve të Brendshme deklaroi se i kapëm vrasësit (deri sa gjyqi nuk vërteton fajin i akuzuari është i pafajshëm-ju këtë s'e keni ditur apo nuk guxuat ta kundërshtoni). Deklarata e saj edhe më skandaloze ishte se disa janë të dyshimtë se kemi gjetur libra fetare, si Kurani (rasti i Smilkovcit).

Për të mos e zgjatur po ju kthehem vetëm ngjarjeve të vitit të fundit (2013) dhe po ju përkujtoj lexues të nderuar sa e ka respektuar BDI vullnetin e shqiptarëve.

Mos vallë paska qenë vullnet i shqiptarëve që i dënuari nga tribunali i Hagës për krime lufte në rastin e Lubotenit, në prill të vitit 2013 të pritet në mënyrën më madhështore nga qeveria në emër të cilës flet edhe BDI. Ku ishte BDI kur presidenti i Maqedonisë në samitin e qershorit 2013 nuk e ftoi kryetaren e Kosovës dhe ky samit u anulua pasi reagoi Kroacia dhe Shqipëria për injorimin që i bëhej Kosovës.

Mos vallë ishte vullnet i shqiptarëve aplikimi i taksave për kosovarët në fillim të shtatorit 2013, pastaj marrëveshja mes MPB të Maqedonisë dhe MPB të Serbisë, edhe pse një marrëveshje e tillë nuk ekziston me Shqipërinë dhe Kosovën.
Viteve të fundit shtetit po i jepen vetëm elemente sllavo-ortodokse, Shkupi 2014 do të mbetet si një vepër e rëndësishme e juaja, më në fund e sollët edhe Dushanin.

Zgjidhja e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës është premtim i kahmotshëm i BDI-së. Madje pas formimit të Qeverisë në vitin 2008, ju deklaruat se zgjidhja e kësaj çështjeje ka qenë pjesë e marrëveshjes me VMRO-në. Vullnetin e kujt e mbrojtët kur në fjalimin e tij me rastin e votëbesimit të qeverisë në fillim të tetorit 2012 kryeminstri deklaroi: 'Nuk mendoj se duhet të miratohet ligj për të ashtuquajturit luftëtarë të UÇK-së (Јас не сметам дека треба да се донесе закон за таканаречените борци на ОНА)'

Nuk kaluan më shumë se 10 min. dhe ju të ashtuquajturit komandantë u pajtuat me ofendimin që ua bëri dhe votuat kryeministrin, besoj se edhe kjo nuk ishte vullnet i popullit. BDI sot ka zv.kryeministër, nëkryetare parlamenti e cila shkaku i statusit të gjuhës nuk ka mundur ta udhëheqë asnjë seancë, prandaj shqiptarët duhet të dijnë çfarë dobie kanë edhe po të kenë kryetarin e shtetit shqiptar. Sigurisht do të kenë 2-3 punësime në kabinetin e tij dhe asgjë më tepër. Ndërsa e keqja do të ishte se faji për moszgjidhjen e çështjes së emrit do t'u takojë edhe shqiptarëve dhe para botës nuk do të kemi të drejtë të ankohemi se nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve. Po sigurisht, kjo është ëndërr e ndonjë funksionari të BDI-së dhe manipulim me shqiptarët.

Si duket po manipuloni edhe me mbledhjen e nënshkrimeve për t'i dërguar NATO-së, ose ushtarët dhe populli përfundimisht e kanë humb besimin në ju, prandaj po kërkojnë ndihmën e NATO-së që të bëjë presion tek Ahmeti (komandanti i UÇK-së) e Gruevski të miratojnë ligjin për luftëtarët e UÇK-së. Mendoj se kjo kërkesë nga BDI bëhet vetëm për t'i anashkaluar problemet esenciale me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni

Shenasi Xheladini - kryetar i degës së RDK-s Kumanovë