16Dhjetor2017

Edhe kjo qeveri pa marrëveshje të nënshkruar

Edhe kjo qeveri u formua pa kontratë për bashkëqeverisje, por vetëm me marrëveshje gjithashtu të panënshkruar nga partnerët e koalicionit. Programit të qeverisë për formimin e shumicës parlamentare i mungon pika themelore fillestare, pjesa e protokollit, dokumenti i nënshkruar nga VMRODPMNE dhe BDI, ku thuhet se qeveria do të veprojë në bazë marrëveshjes koalicionuese për formimin e shumicës parlamentare për qeverisje 2011-2014 (Marrëveshje koalicionuese). 

Në bazë të kësaj marrëveshje të shkruar, do t’i realizonin qëllimet programore të marrëveshjes së koalicionit që e ka çdo koalicion qeveritar i çdo vendi demokratik. Këto negociata pa marrëveshje të shkruar edhe të nënshkruara nga partnerët e koalicionit, tregojnë qartë se partitë shqiptare nuk kanë mundur asnjëherë me dokument të shkruar të hyjnë në qeveri. Mosnënshkrimi i dokumentit midis partnerëve të koalicionit për formimin e shumicës parlamentare tregon pozicionin inferior të partisë shqiptare BDI dhe shpirtngurtësisë së partisë maqedonase VMRO për bashkëqeverisje të sinqertë dhe transparente.

 


Këtë e dëshmojnë edhe koalicionet paraprake për formimin e qeverive në kontinuitet, siç është ajo e vitit 1994 për formimin e koalicionit qeveritar dhe qeverisjen e vendit, në vitin 1998, në vitin 2002, në vitin 2006, në vitin 2008 dhe kjo e vitit 2011, ku shqiptarët hyjnë në qeveri pa kontrata të shkruara dhe pa afate për realizimin e programeve dhe projekteve partiake, që bëhen pjesë e programit qeveritar.

Edhe pse çështjet ekonomike kanë qenë shumë të eksploatura në këto zgjedhje, dhe partia që fitoi shumicën e elektoratit shqiptar haptas ka premtuar për marrjen e hises së buxhetit, bile duke shkuar edhe më larg, se përqindja e popullsisë shqiptare mbi 25% do të reflektohet edhe në investime. Ndarja e resorëve ministror tregon se shqiptarët, gjegjësisht BDI, në këtë qeveri ka pozicion shumë të dobët dhe inferior.

Ajo duke u përcaktuar për ministri të dobëta duke analizuar buxhetet dhe nënprograme zhvillimore të ministrive, do të menaxhojë me 5.53% të parave publike, gjegjësisht me 8.849.023.000 denarë, përkundër VMRO-së me 94.47%. Në kuadër të ministrive që BDI do t’i menaxhojë ka nënprograme zhvillimore investive 0.89%, përkundër VMRO-DPMNEsë që kanë 99.11%. Kjo është shprehur edhe ne tabelën e paraqitur në vijim.

Krahasuar me qeverinë paraprake 2008-2011 ku BDI ishte më e fortë sepse menaxhonte me 18.37% të parave publike të ministrive që ajo udhëhiqte përkundër VMRO DPMNE me 81.63%, do të shohim se në koalicionin qeveritar 2011-2015 BDI krahasuar me koalicionin paraprak do të jetë me e dobët për 20.548.573.000 milionë denarë, gjegjësisht për – 69,90% dhe në nënprogramet zhvillimore të ministrive për 41,45%. (shih tabelën).

Është diskutabile influenca e ministrave shqiptar në vendimet e ministrive tjera, të cilat do të menaxhojnë me investimet publike, pasi që qeveria paraprake na tregoi qartë pozicionin e ministrave të ri-të vjetër të BDI-së në qeverinë e VMRO-DPMNE-së, posaçërisht në sferën e investimeve publike. Duke analizuar programin qeveritar të ofruar, do të shohim se Marrëveshja e Ohrit përmendet vetëm në hyrje, kurse obligimet për implementimin nuk operacionalizohen në përmbajtje të asnjë kapitulli, posaçërisht në pjesën e decentralizimit, punësimit, përdorimin e gjuhës shqipe dhe përdorimin e simboleve.

Në programin qeveritar askund nuk përmendet alokimi dhe shpërndarja e barabartë e financave publike mbi bazën e decentralizimit dhe projekteve tjera zhvillimore në mënyrë proporcionale, dhe se qeveria do të ndërton mekanizma se si do të realizohet ky alokim i barabartë.

Pak i kushton rëndësi politikës së zhvillimit regjional dhe decentralizimit fiskal, posaçërisht përmirësimit të kritereve diskriminuese në shpërndarjen e mjeteve financiare për njësitë e vetë administrimit lokal. Mungon rregullimi i të drejtave të pjesëmarrësve shqiptarë në konfliktin e vitit 2001.

Ndërkaq, çdo vend i regjionit që ka patur krizë apo luftë, kapitull të veçantë i kushton të drejtave dhe avancimit të të drejtave të pjesëmarrësve në konflikt dhe familjeve të tyre. Kjo pjesë mungon, me qëllim që të mos tregohet se çka është bërë për ta dhe për të mos i integruar edhe pjesëmarrësit shqiptarë në konflikt si dhe familjet e tyre.

1.Politika fiskale dhe investimet publike 

Në pjesën e programit qeveritar, në politikën fiskale dhe investimet publike, nuk ka asnjë një fjalë të vetme për investimet publike se do të jenë proporcionale, ose se paku nga buxheti do të ketë investime publike edhe në regjionet apo komunat ku popullsia shqiptare është shumicë. Qeveria përmenden vazhdimin e projekteve të nisura në harmoni me programet investive 2011-2014, gjegjësisht 2015, ku investimet do të arrijnë 550 deri në 650 milionë. Ndërkohë, investimet në komunat ku jetojnë shqiptarët shumicë dhe maqedonasit pakicë, janë simbolike, bile edhe aspak. Te pjesa tatimore, programi qeveritar nuk përmend aspak rritjen e përqindjes së TVSH-së që do të shkojë për komunat, me qëllim të avancohet decentralizimi fiskal dhe forcimi i kapacitetit financiar të komunave, edhe pse në program BDI e ka patur target rritjen e TVSH-së për komunat.

2. Përdorimi i mjeteve buxhetore me përgjegjësi 

Programi qeveritar në pjesën e përdorimit të mjeteve buxhetore nuk asnjë fjalë për buxhet proporcional dhe ndarjen e barabartë të mjeteve buxhetore, mënyrën e sjelljes së buxhetit, ku BDI e ka në program ose e kanë bërë publike Këshillin Fiskal të Parlamentit, që buxheti të kalon përmes të këshillit para se të miratohet, ky si një mekanizëm për mosdiskriminim në buxhet. Nuk ka asgjë me premtimin për ndryshime në ligjin e buxhetit-procedurën e përgatitjes, sjelljes dhe realizimit të buxhetit, Gazeta zyrtare 95/2010 neni 24 alineja 2, ku në vende të Qeverisë së Maqedonisë, do të zëvendësohet me “Shqyrtim në komisionin për financim dhe buxhet të RMsë” që në hartimin e buxhetit do të kyçeshin edhe deputetët me propozimet e tyre, që të mund të ndërpresin diskriminim. Nuk ka asgjë me premtimin e BDI-së që disa zëra të buxhetit që lidhen me çështjet e të drejtave që janë sjellë me Badenter, të futen në ligjet që do sillen në bazë të këtij parimi.

3. Investimet janë shumë ambicioze, shuma e investimeve të huaja prej 2 miliardë eurove deri në vitin 2015, ku dy vitet e fundit kemi 145 milionë euro investime. Aspak nuk përmendet diaspora shqiptare që sjellë me qindra miliona euro dhe e mbulon deficitin e shtetit, kurse BDI në programin e vet i jep rëndësi shumë të madhe rintegrimit ekonomik të diasporës shqiptarëve.

4. Ndërtimi i zonave të lira teknologjike

Në programin qeveritar lidhur me zonat e lira ekonomike në Tetovë, nuk ka diçka specifike, por ngel në një model të partneritetit privato-publik, që nuk ka gjasa të realizohet, kurse për shtatë zonat teknologjike tjera në komunat me shumicë maqedonase, propozohen mjete financiare dhe sigurohen ato. Për Zonën e lirë në Shkup, parashihet të finalizohen mjetet buxhetore.

5. Projektet e infrastructures

Në Korridorin 10 janë në rrjedhë investimet. Rruga Shkup-Bllacë është në procedurë koncesioni nëse ka investitorë të interesuar (2013-2018), Korridori 8, rruga Gostivar -Ohër, do të jepet me koncesion nëse gjendet me kushte të mira ndonjë investitor. Nga 26 projekte në rrugë magjistrale dhe regjionale, 11 janë në regjionet e përziera dhe janë paraparë të fillojnë ndërtimet nga viti 2012, disa nga 2013-ta, e shumica nga 2014-ta, me shumë renovime dhe studime. Këto janë projekte të cilat nuk gjenden te programi i investimeve publike 2011- 2014. Nuk kanë studime të realizuara. Nuk kanë as konstruksion financiar të siguruar, s’ka informacion për burimet e financimit nga buxheti ose nga kreditë sa janë siguruar dhe sa janë si kërkesa për t’u siguruar etj.

Është e papranueshme që vendkalimet kufitare me prioritet, p.sh rruga Llojan-Miratovc në Likovë të fillojë të ndërtohet në vitin 2014, rruga Shkup-Tanushë në vitin 2013. Si do të sqarohet fakti se për këto projekte nuk ka mjete financiare të siguruara dhe nuk janë në programin e qeverisë 2011-2014 për investime publike. Në rrugët regjionale, rekonstruimi i vetëm është ai i rrugës Strugë-Dibër. Prej 10 rikonstruimeve, vetëm një në regjionet e Maqedonisë Perëndimore. Qeveria duhet të përmirëson sistemin dhe kriteret e shpërndarjes se mjeteve nga Banka Botërore, që jepen nga Agjencia shtetërorë për rrugë regjionale. Komunat me popullsi maqedonase marrin dyfish mjete, diku edhe trefish më shumë nga komunat me shumicë shqiptare, në saje të kritereve të sipërfaqes dhe vendbanimeve. Në infrastrukturën komunale dhe sistemet komunale, vetëm investim në një sistem të kanalizimi në lumin Vardar, në Komunën e Sarajit, dhe në asnjë vendbanim tjetër. Vazhdon ndërtimi i teleferikut në Vodno me gjithsej investim prej 7.21 milionë euro. Investim jo me arsyeshmëri ekonomike dhe jo i pranueshëm për këtë fazë.

 6. Administrata publike dhe shoqëria informative 

Në programin qeveritar përfaqësimi adekuat askund nuk përmendet deri kur duhet të përmbushet, kure administratoret të cilët janë të punësuar marrin të ardhura personale, e që janë 1514, do të rrinë në shtëpi. Nuk shkruan asgjë në programin e qeverisë lidhur me masat që do ndërmerren për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet ku ende ato janë nën 10%.

 7. Ndërtimi dhe revitalizimi i hidrocentraleve

Në programin qeveritar rëndësi i jepet projektit “Vardarska Dolina”, që është prej kohës së Titos, i cili nuk mund të realizohet, pasi ka shumë pengesa dhe probleme sa që është e pamundur pas duhen plus 1.5 miliardë euro investime. As që përmenden investimet në kapacitetet e mini-hidrocentraleve në lumin Shkumbin në Tetovë, në lumin e Tearcës dhe në lumin e Vratnicës. Ku është projekti për studimet e fisibilitetit në Kodrën e Diellit (Popova Shapkë) mbi kanalin e ujit që furnizon Mavrovën të ndërtohet mini-hidrocentral. Ky është eksploatimi, sepse me burimet e ujit në Maqedoninë Perëndimore, ndërtohen hidrocentralet në Maqedoninë Lindore.

8. Bujqësia 

Nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e sistemit të ujitjes së tokave në fushën e Pollogut por bujqit si projekti i ujitjes fushëgropës së Gjevgjelisë dhe Vallandovës 21, 7 milion euro ku 4.7 sigurohen nga Qeveria. Pse nuk kemi marrëveshje për shpërndarjen e 140.000 hektarëve tokë të tokës me pronësi të shtetit edhe në regjionet ku jetojnë shqiptarët me kushte ideale për 5 euro deri 25 euro për hektar pse në konkurse nuk jepen komunat siç është e Tetovës Gostivarit etj. Prej 4 524 kontrata të tokës bujqësore sa janë në regjionet me shumicë shqiptare s’ka pothuaj se asnjë kontratë.

9. Arsimi sipëror 

Programi qeveritar nuk parasheh që të mbyllet ndërtimi i dy objekteve të USHT-së, punime këto që kanë filluar gati nga viti 2005 dhe assesi të përfundohen, pastaj ndërtimi i konvikteve në Tetovë për studentët, bibliotekës, mensës. Edhe kjo qeveri nuk parasheh financim edhe të UEJL-së, programet e administratës publike dhe programeve pedagogjike, meqë tash shteti financon vetëm 13% për arsimin universitar të shqiptarëve, kurse kjo përqindje duhet të jetë 25.

Prof.dr. Izet Zeqiri  - Autori është deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare