22Nëntor2017

Qëndrimet e kryetarit të RDK-së rreth qeverisjes Gruevski-Ahmeti


27.07.2011

Qeveria e dytë Gruevski-Ahmeti është rezultante e pritur nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe marrëveshjet paraprake në mes të dy partive të arritura para dhe gjatë procesit zgjedhor. Përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme  parlamentare në fillim të qershorit në kohën kur mungon një numër i konsiderueshëm i mërgimtareve shqiptar dhe pajtimi i partisë shqiptare në qeveri për zgjedhjen e tre deputetëve të diasporës me legjitimitet te cunguar demokratik kishin ndikim përmbajtjesor në rezultatin zgjedhor dhe në përcaktimin e fituesve të njëjtë në të dy taborët etnik dhe politik.  
Procesi zgjedhor u karakterizua  me kushte të pabarabarta konkurrimi, i shoqëruar me financim masiv informal të partive fituese, fakt ky që argumentohet shumë lehtë nëpërmjet krahasimit të raporteve financiare të publikuara dhe shpenzimeve reale të kampanjës elektorale.


Korruptimi  masiv elektoral që është pasojë e krizës së thellë ekonomike dhe morale dhe  identitetit të brishtë politik të votuesve pa dallim ideologjik dhe etnik, u manifestua në mënyrë shumë publike, fakt ky që vë dyshime serioze në përzierjen e përfaqësuesve të qeverisë së vjetër dhe të re në këtë korrupsion politik jashtëzakonisht të lartë. Një analizë e kujdesshme e prononcimeve politike paszgjedhore të dy partive fituese në dy kampet  e ndryshme etnike, nxjerr në sipërfaqe një qasje diametralisht të kundërt për raportet e ardhshme qeveritare në mes VMRO-së dhe BDI-së.


Përderisa partia fituese shqiptare nëpërmjet  zëdhënësve të shumtë të saj dhe medieve të kontrolluara nga ajo, krijonte përshtypje të rrejshme në opinionin publik, për gjoja një pozicion negociator shumë të fuqishëm në kuptim të resorëve qeveritarë, në kujtesën e autorit të kësaj analize ka mbetur e evidentuar një komunikatë e VMRO-së e cila definonte në mënyrë shumë  precize  raportet në qeverinë e re si “raporte të kontinuitetit nga qeveria paraprake në kuptim të resorëve dhe te prioriteteve qeveritare”. Qeveria e re Gruevski–Ahmeti është pikërisht qeveria e kontinuitetit në të gjitha drejtimet konform komunikatës së partisë së Gruevskit.

Përkundër humbjes së shumicës parlamentare, VMRO-ja arriti të ruajë pozicionin dominant paraprak, madje edhe ta përforcojë në qeverinë e re në të gjitha drejtimet në kuptim të resorëve, prioriteteve strategjike, investimeve kapitale, konsumit buxhetor dhe qasjes konservative në procesin e integrimit euroatlantik të vendit. Pikërisht ky moment është dilema bazike që shoqëron komentet dhe analizat e shumta të intelektualëve dhe politikanëve deri më sot dhe nuk ka një përgjigje të argumentuar për pozitën dominante të VMRO-së dhe për pozicionin inferior të BDI-së, përkundër faktit që mandatet parlamentare të dala nga zgjedhjet e qershorit jepnin mundësi për krijimin edhe të qeverisë alternative politike.


Teza bazë politike e BDI-së e promovuar më herët, se detyrimisht fituesit e të dy kampeve etnike duhet te bëjnë qeverinë e RM-së, me këtë marrëveshje politike bëhet teza e cila  çimentoi status quo-në dhe injoroi në masë të konsiderueshme kërkesat politike të shqiptarëve.

Cilat janë prioritetet e qeverisë së re?

Prioritetet e qeverisë së re në masë të konsiderueshme janë identike me prioritetet e qeverisë së mëparshme. Ajo që është me rëndësi për t’u analizuar, është fakti se në radhitjen e prioriteteve qeveritare, zhvillimi ekonomik i paraprin procesit të integrimit euroatlantik të vendit, përkundër faktit që pikërisht bllokimi i procesit të integrimit të vendit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe në margjinalizimin e vendit nga agjenda e investitorëve seriozë  të jashtëm dhe është shkak për mosshfrytëzimin e fondeve serioze financiare nga BE-ja dhe institucionet  tjera  ndërkombëtare. Kjo radhitje e prioriteteve të kësaj natyre jep përgjigje të argumentuar se qeveria e re do të vazhdojë me qasjen konservative në drejtim të zgjidhjes së kontestit me Greqinë, kompromis ky që bëhet edhe më delikat duke pasur parasysh  krizën e thellë ekonomike dhe financiare nëpër të cilën kalon aktualisht shteti grek. Ajo që vlen të përmendet në këtë drejtim, është fakti se politikat e antikuizimit të vendit  janë politika  anti-integruese dhe të përkrahura edhe nga partia fituese shqiptare, përkundër retorikës permanente boshe të përfaqësuesve të saj.
Deklarimet e Musa Xhaferit, Ibrahim Kelmendit dhe së fundi edhe të  kryetarit të BDI-së në konferencën e organizuar ne UEJL në vigjilje të 10 vjetorit te Marrëveshjes se Ohrit, se “vendimi për vendosjen e shtatores së Aleksandrit të Madh dhe të figurave të tjera historike antike janë miratuar në kohën e qeverisë BDI-LSDM të viteve 2002-2006”, argumenton të kundërtën e deklarimeve verbale të kësaj partie në lidhje me procesin e integrimit euroatlantik të vendit dhe antikuizimin.  


Qeverisja e sektorit te eurointegrimeve dhe të mbrojtjes nga kuadro të partisë shqiptare pa ndryshimin e kursit politik të qeverisë, i ngjanë një beteje donkishotiane që është e paradestinuar në dështim të sigurt.


Programi ekonomik i qeverisë  Gruevski 3, në esencë është vazhdimësi e programit ekonomik paraprak dhe nuk jep  përgjigje në dilemat bazike zhvillimore në kuptim të zvogëlimit të borxhit publik, partizimit të skajshëm të administratës publike, korrupsionit masiv në furnizimet publike, rritjes enorme të konsumit publik joproduktiv, mospasjes së kapaciteteve institucionale për realizimin e investimeve serioze kapitale, dështimin me promotorët diplomatikë, ekonomikë dhe me marketingun e shtrenjtë në funksion të tërheqjes së investimeve të huaja, humbjes së përparësive komparative të sektorëve kryesorë ekonomikë, hezitimit të sektorit bankar për të financuar sektorin privat dhe rritjes së jolikuiditetit të sektorit real ekonomik dhe të popullsisë. Premtimet qeveritare për rritje të pagave në sektorin publik për tre vitet e ardhshme nga 10%, nuk kanë kurrfarë mbulese ekonomike dhe financiare dhe do te jenë destimulim shtesë për sektorin privat dhe do të jenë motiv shtesë për rritje edhe më të madhe të administratës publike që është bërë  shpenzuesi më i madh i parave publike me ndikim tepër negativ në sektorin publik dhe në investimet kapitale.


Rasti i qeverisë së Thaçit në Kosovë duhet të jetë si mësim për një gabim qeveritar të patolerueshëm në këtë situatë të krizës së thellë ekonomike dhe morale, që nuk duhet të përsëritet në rastin e Maqedonisë.
Në një situatë të kësaj natyre, projeksionet e qeverisë për rritje ekonomike, punësim dhe standard jetësor do të mund të realizohen vetëm nëpërmjet kurdisjes së të dhënave statistikore makroekonomike përkundër trendëve negative në sektorin real ekonomik, gabim të cilin e ka bërë me dekada Greqia dhe jo rastësisht sot është para bankrotit ekonomik dhe social. Analiza e projekteve kryesore investive buxhetore, nxjerr në sipërfaqe vazhdimin e politikes së margjinalizimit  të skajshëm të investimeve kapitale në vendbanimet shqiptare dhe duket tepër groteske deklarata e liderit te BDI-së në intervistën dhënë TV-Alsat para disa ditëve, se investimet kapitale për shqiptaret janë 1-2% më të vogla në krahasim me  investimet kapitale në territoret e banuara nga shumica maqedonase.

 

Prioritetet tjera qeveritare në kuptim të luftimit të dukurive të korrupsionit, sektorit informal dhe evazionit fiskal janë ironike për faktin se pikërisht në këtë qeveri do të ketë persona ndaj të cilëve ka aktakuza institucionale për vepra të rënda penale që janë të bllokuara në sirtarët e prokurorisë dhe që peshojnë miliona euro dëme të shkaktuara sektorit publik dhe qytetarëve të vendit.
Programi i  qeverisë Gruevski 3, në tërësi injoron aspiratën për përparim të procesit të  decentralizmit lokal dhe atij fiskal, në veçanti me faktin se në periudhën 2011-2015 nuk parashikon rritje reale të financave publike për komunat në krahasim me gjendjen ekzistuese dhe në këtë drejtim premtimi elektoral i BDI-së për rritje te TVSH-së në 10% dhe të tatimit personal në 50%  në dobi të buxheteve komunale, ngelin mashtrimi elektoral i  radhës i kësaj partie.
 
Resorët qeveritarë dhe akrobacionet e kuadrove ministrore


Qeveria  Gruevski 3 pa diskutim definon monopolin në qeverisje të VMRO-së në raport me BDI në resorët kryesorë shtetërorë që janë atribute kryesore të funksionimit të shtetit në paqe. Fakti që Ministria e Financave, Punëve të brendshme, Transportit, Punëve të Jashtme, Politikës sociale, Bujqësisë, Shëndetësisë dhe institucionet kryesore ku grumbullohen dhe alokohen paratë publike dhe ku ndikohet në sigurinë e qytetarëve dhe në rendit publik janë me menaxhim absolut të VMRO-së, argumenton pa diskutim pozitën dominuese të kësaj partie dhe pozitën tepër inferiore të BDI-së edhe në  këtë qeveri, ngjashëm me qeverinë paraprake.


Autori nuk e sheh të udhës të komento manipulimin me opinionin publik që përfaqësues të BDI-së ia servojnë opinionit publik në vazhdimësi gjatë procesit të negociatave për krijimin e qeverisë së re. Vlen te theksohet me këtë rast se zëvendësimi i resorëve të politikes sociale dhe të shëndetësisë me ministrinë e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë, ka dobësuar edhe më shumë pozicionet e partisë  shqiptare në qeveri, ndërsa aspirata e saj për të qeverisur me financat  e vendit dhe policinë shtetërore, ngelin një sfidë e largët qeverisëse për BDI-në dhe për shqiptarët.
Kuadrot dhe kombinatorika e kuadrove dhe resorëve në qeverinë e re, pa diskutim se nuk respektojnë kriteret e kompetencës dhe integritetit moral dhe për pasojë rezultatet në qeverisje do të jenë minore. Në veçanti janë të dëmshme, në kuptim të realizimit të objektivave qeveritare, bartja e ministrave dhe zëvendësministrave nga resorët që janë të afërta me profesionet e tyre në resorë tjerë.


Akrobacionet e bartjes së ministrit të ekonomisë në resorin e mbrojtjes, ministrit të arsimit në resorin e shëndetësisë, përgjegjësitë për zbatimit e  MO në ekologji dhe rikthimin e ministrit të pushtetit lokal në sekretariatin për implementim të MO, argumentojnë një qasje jokonsistente dhe jocilësore kuadrovike që do të rezultojë pa diskutim me  rezultate të dobëta qeverisëse.


Dilema e çdo intelektuali në lidhje me këto rotacione dhe kombinatorika,  qëndron në faktin  se kur kuadrot (funksionarët) ndërrohen si pasojë e mospasjes së rezultateve në punë dhe si të tillë ato zëvendësohen me kuadro të reja, ndërsa në  rastin konkret bëhet rotacioni i kuadrove të njëjtë në resorë tjerë pa dhënë llogari për menaxhimin paraprak qeveritar, fakt ky që argumenton se kriteri i vetëm i përzgjedhjes së ministrave ka qenë besnikëria e tyre ndaj liderëve politikë dhe jokompetenca e tyre profesionale dhe politike.

Cili ishte roli i faktorit ndërkombëtar në krijimin e qeverisë së re?


Ndikimi i faktorit ndërkombëtar në qeverinë Gruevski  3 është pa diskutim i rëndësishëm. Ngelën enigmë e pa përgjigjur fakti që pikërisht ky faktor ndërkombëtar  dha notën pozitive për zgjedhjet që u shoqëruan me korrupsion masiv elektoral, me kushte të pabarabarta  konkurrimi dhe përkrahu një qeveri e cila vazhdon në kontinuitet me politikat e antikuizmit dhe  mosrespektimin e rekomandimeve për afrimin e qëndrimeve me Greqinë në lidhje me zgjidhjen  e kontestit për emrin e vendit, përkundër faktit që pas këtyre zgjedhjeve ekzistonte edhe alternativa e dytë qeverisëse.
Kjo qasje pasive e faktorit ndërkombëtar nxjerr në sipërfaqe faktin se Maqedonia dhe Ballkani tashmë nuk janë në agjendat kryesore ndërkombëtare dhe se jostabiliteti i kontrolluar është një situatë e pranueshme edhe për këtë faktor, pavarësisht nga fakti që vendi ngec në të gjitha drejtimet me bllokimin e procesit integrues. Autori i analizës është i bindur se pa imponimin e  kompromisit për çështjen e emrit sipas modelit kroato-slloven ose ndonjë modeli tjetër, kjo çështje do të mbetet e hapur duke pasur parasysh edhe situatën e bankrotit ekonomik me të cilin ballafaqohet Greqia, përkundër zemërgjerësisë financiare  të BE-së, FMN-së dhe bankave komerciale.
   
Pse nuk u realizua unifikimi i faktorit politik shqiptar pas zgjedhjeve?


Teza e unifikimit te faktorit politik shqiptar pas zgjedhjeve duke respektuar rezultatin zgjedhor ishte oferta e vetme praktikisht e mundshme si një shans për të rehabilituar pozicionin politik të shqiptareve  dhe  si moment  kyç nga i cili do kompensohej  humbja e pesë deputeteve shqiptar dhe  do realizohej një pozicionin shumë më me ndikim i faktorit shqiptarë në krijimin e qeverisë së re.
Kjo oferte e RDK-së nuk u pranua nga dy partitë më të mëdha shqiptare gjate fushatës zgjedhore dhe në veçanti nuk u diskutua aspak  në periudhën e pas zgjedhjeve  nga BDI duke u arsyetuar me tezën se ,,nëse bashkohen ( koalicionohen)  mandatet e deputeteve shqiptar do te bashkohen edhe mandatet e deputeteve maqedonas dhe kështu do bllokohet formimi i qeverisë së re,,.


Mos bërja e përpjekjeve më minimale nga dy partitë më të mëdha politike shqiptare për bashkëpjesëmarrje në qeveri nxjerr në sipërfaqe antagonizmat e thella dhe përçarjen e lartë politike ndërshqiptare me kosto të lartë politike dhe kombëtare realitet ky i përsëritur ndër shqiptarët e Maqedonisë në dy dekadat  e demokracisë .


Edhe në këtë rast u argumentua  se interesat  individuale dhe grupore janë mbi interesat kombëtare dhe se në këtë drejtim i vetmi subjekt që mbante qëndrim konsistent gjatë fushatës elektorale ishte RDK-ja, partitë tjera kurrë nuk përkrahën unitetin politik në dobi të interesave kombëtare .   


Në këtë drejtim ngel i paqartë qëndrimi i faktorit ndërkombëtar në lidhje me këtë unifikim politik i cili do të ishte në këtë fazë në funksion të realizimit të barazisë fiskale dhe institucionale konform MO-së dhe debllokimit të procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Në lidhje me këtë tezë të autorit të kësaj analize gjatë të gjitha takimeve me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore nuk është hasur në kundërshtim përmbajtjesor, përkundrazi është mbajtur një qëndrim neutral si e drejtë legjitime politike demokratike.

Roli i opozitës shqiptare në perspektivë


Opozita shqiptare parlamentare dhe jashtëparlamentare fitoi mbi 10 mijë vota më shumë në krahasim me partinë fituese shqiptare e cila falë sistemit të Dontit ka 50% më shumë mandate deputetësh  në krahasim me dy partitë opozitare shqiptare PDSH dhe RDK.
Votuesit shqiptar në këto zgjedhje nuk përkrahën politikën qeverisëse të koalicionit VMRO-BDI, por si rezultat i faktit që në kampin politik shqiptar konkurronin më shumë parti politike,  shqiptarët do të përfaqësohen nga partia politike që përfaqëson pakicën e elektoratit shqiptar, fenomen ky i ngjashëm me rastin e qeverisë aktuale të Kosovës.


Bashkëpunimi opozitar programor dhe ndërtimi i urave të komunikimit në funksion të fuqizimit të bllokut opozitar paraqitet si domosdoshmëri e pashmangshme e kohës. Ndërrimi i sistemit zgjedhor dhe transformimi i Maqedonisë në një njësi zgjedhore, krahas arritjes së konsensusit që zgjedhjet politike duhet të  organizohen vetëm në kohën kur mërgata është në vendlindje, janë dy ndryshime legale që duhet të propozohen dhe miratohen në parlament menjëherë .  


Tejkalimi  i përmbajtjes së Marrëveshjes se Ohrit, barazia fiskale dhe investive publike dhe avancimi i statusit të shqiptarëve si populli i dytë shtetformues, krahas përparimit të procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, janë objektiva politike rreth të cilave duhet të bashkëpunojë opozita shqiptare e gjithë spektrit në periudhën e ardhshme politike.    

Për fund: Ndryshimi kozmetik i Ligjit për përdorimin e gjuhës së bashkësisë etnike 20%, degradimi esencial i cilësisë së përdorimit dhe madhësisë publike të flamurit kombëtar shqiptar dhe mbyllja e rasteve të lidhura me lëndët e Gjykatës së Hagës, nxjerrin në sipërfaqe faktin se objektivi kryesor i negociatave të BDI-së ishte vetëm shpëtimi i fatit personal të udhëheqësisë së BDI-së dhe pranimi definitiv i pozicionit të pakicës kombëtare për shqiptarët, që është përmbajtja kryesore e Marrëveshjes se Ohrit, pavarësisht nga retorika verbale megalomane e përfaqësuesve të BDI-së.


Është ironi e llojit të vet se në praktikën e deritashme demokratike në Maqedoni, të gjitha partitë politike shqiptare kanë propaganduar unitetin politik vetëm para zgjedhjeve, ndërsa pas zgjedhjeve gjithmonë kanë bërë të kundërtën dhe pikërisht këtu qëndron shkaku i dështimit kryesor politik i lëvizjes politike shqiptare para dhe pas vitit 2001, duke alokuar përgjegjësinë historike mbi BDI si parti e dalë nga ish strukturat e UÇK-së.  
Është koha e fundit që përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë Gruevski 3 të ndërpresin me manipulimin publik që ia bëjnë popullit shqiptar në kuptim të demagogjisë politike, sepse, citoj: "luftuan dhe derdhën gjak për të drejtat e shqiptarëve dhe se shqiptarët sot janë popull shtetformues dhe vendimmarrës në Maqedoni".


E vërteta e vetme e verifikuar tashmë pas 10 viteve qeverisëse, është se ata organizuan 2001-shin për t’u faktorizuar politikisht dhe për t’u bërë pjesë e qeverisjes  politike korruptive me çdo kusht dhe se të gjitha deklarimet tjera janë përralla politike që kanë përdorimin elektoral vetëm në kohën e zgjedhjeve.

 

Gostivar korrik 2011                                         Rufi Osmani , kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare